Kukës: Dhuna Në Familje E Pranishme, Por Rrallë Denoncohet
KUKËS, 25 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Dhuna në familje në qarkun e Kukësit vazhdon të jetë e pranishme, ndonëse në shumë raste ajo nuk denoncohet.
Burime zyrtare të policisë së qarkut të Kukësit pohojnë se, "ndihma e policisë kërkohet vetëm në raste ekstreme, ndërsa jo rrallë denoncimi tërhiqet nga gratë që kryejnë denoncimin."
Në rrethin e Kukësit, për periudhën janar- 25 qershor kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre vetëm 4 gra, 2 prej tyre e tërhoqën me vonë denoncimin.
Në 2009 u regjistruan 27 raste të dhunës ndaj gruas. Gjatë këtij viti janë regjistruar vetëm 12 raste.
"Zakonisht denoncimet tërhiqen si rrjedhojë e presionit të familjes e të të afërmve, apo e mentalitetit për të mos prishur familjen", pohojnë burime zyrtare të policisë lokale.
Megjithatë, vërehet se 60 për qind e personave që tërheqin denoncimet, brenda një kohe të shkurtër përfundojnë në dyert e gjykatës për divorc./ch/