Meta: Marrëdhëniet Me Emiratet E Bashkuara Arabe, Të Shkëlqyera
TIRANE, 25 Qershor/ATSH- A.Gegvataj/ - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë takimit sot në Tiranë me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Meta vlerësoi në veçanti kontributin social e njerëzor të Emirateve të Bashkuara Arabe përmes fondacionit të Gjysmë Hënës së Kuqe si dhe nëpërmjet agjencive të tyre.
Ai deklaroi se "kontributi i tyre do mbetet i paharrueshëm për të gjithë shqiptarët në krizën më të rëndë humanitare që është përballur Shqipëria, gjatë situatës së Kosovës në vitin '99".
Meta tha së vizita e homologut të tij arab lidhet edhe me inaugurimin e emrit të aeroportit modern të Kukësit, që do të mbajë emrin e një personaliteti të madh botëror,"Sheikh Zayed".
"Aeroporti që mban emrin e lartësisë "Sheikh Zayed" do të jetë një monument që jo vetëm do të kujtojë këtë bujari të EBA në krizën më të rëndë për kombin tonë, atë të Kosovëz, por do të jetë edhe në shfrytëzim dhe dobi të komunitetit atje", nënvizoi Meta.
Ai bëri të ditur se së shpejti do të nënshkruhen 6 marrëveshje bilaterale me EBA. "Këto marrëveshje do të përshpejtojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, që nga heqja e tatimit të dyfishtë, nxitjen e investimeve dhe mbrojtja e tyre reciproke apo marrëveshje për transportin ajror dhe detar si dhe shumë të tjera", nënvizoi Meta.
Shefi i diplomacisë shqiptare shtoi se homologu i tij i EBA shprehu dëshirën për nxitjen e fondit të investimeve të Abudabit për të kontribuar në projekte infrastrukturore në Shqipëri si dhe fushën e energjisë së rinovueshme.
Në veçanti ai vlerësoi gatishmërinë e MPJ Arabe për të bashkëpunuar edhe në fushën e arsimit, duke ofruar bursa për të rinjë shqiptarë për studime në universitetet e Abudabit dhe Emiratet e Bashkuara.
Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, duke vlerësuar si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve, shprehu garancinë për nxitjen e biznesit emiratas për të investuar në Shqipëri. "Gjatë vizitës do të bisedojmë edhe për çështjet rajonale si dhë mbështetjen që mund t'i ofrojmë Kosovës", tha ai.
Ministri i Jashtëm i EBA shprehu përgëzimet për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptarë për zhvillimin ekonomik, përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me BE-në. /s.s./