Tiranë, 25 Qershor NOA – Me anë të një projekt-vendimi të posaçëm, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka përcaktuar koordinatat e zonave të rrezikshme në Bulqizë dhe ku ndalohet shfrytëzimi minerar.
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Zhvillimit të Burimeve Natyrore në z. Dritan Ylli përmes një deklarate për shtyp, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Taulant Musabelliu, tha se ministri Dritan Prifti ka firmosur pezullimin e 7 lejeve në zonën minerare të Bulqizës, si dhe reduktimin e sipërfaqeve të shfrytëzimit minerar për 5 leje, të cilat mbivendosen në zona të rrezikshme të krijuara gjatë shfrytëzimit minerar të viteve të fundit.
Gjithashtu, Ylli informoi se në zbatim të Planit të Veprimit, METE ka përgatitur një projekt-vendim, i cili përcakton qartë koordinatat e zonave të rrezikshme dhe ndalon rreptësisht shfrytëzimin minerar në këto sipërfaqe, duke evidentuar dhe parandaluar aksidentet e mundshme.
“Me qëllim parandalimin e konflikteve dhe rreziqeve që rrjedhin prej veprimtarive minerare në zonën e Bulqizës, si dhe vlerësimit dhe respektimit të programeve të punës dhe projekteve të aktivitetit minerar të shoqërive që veprojnë në këtë zonë, dhe njëkohësisht në respekt të zbatimit të detyrave të lëna gjatë këtyre kontrolleve të ushtruara në vazhdimësi, ku rezulton shkelje e rregulloreve, në zbatim të ligjit minerar shqiptar, ministri i Ekonomisë ka firmosur pezullimin e 7 lejeve; si dhe reduktimin e sipërfaqeve të shfrytëzimit minerar për 5 leje, të cilat mbivendosen me zona të rrezikshme të krijuara gjatë shfrytëzimit minerar të viteve të fundit”, deklaroi Ylli.
Duke shtuar se marrja e këtyre masave, tepër të rëndësishme, synon shmangien dhe minimizimin e konflikteve dhe aksidenteve në këtë minierë.
n.e/NOA