English

Ndërkombëtarët: Opozita Që Qëndrojë Në Kuvend Dhe Të Zbatojë Kushtetutën

TIRANË, 25 Qershor/ATSH/- Ndërkombëtarët vazhdojnë të nxisin Partinë Socialiste në Shqipëri që "të qëndrojë në Kuvend dhe të përmbushë rolin e saj si opozitë parlamentare, të pranoje zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve te konfirmuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor dhe Gjykata e Apelit dhe të gjitha organizatat nderkombëtare të vëzhguesve". Deklarata e radhës, në adresë të opozitës shqiptare, ka ardhur nga Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens, koordinatori i grupit të Ministrave të Jashtëm të kësaj partie, Franco Fratini, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Italisë, dhe Elmar Brok, anëtar i Parlamentit Europian, pas takimit të fundit të Ministrave të Jashtëm të Partive Popullore Europiane në Assisi (Itali). "Shprehim shqetësimim tonë lidhur me situatën politike aktuale pas zgjedhjeve demokratike të mbajtura qershorin e kaluar 2009, me refuzimin e zotit Rama dhe Partisë Socialiste për të përmbushur rolin e tyre si opozitë parlamentare duke zgjedhur në vend të saj të shprehin pakënaqësite e tyre në rrugë dhe duke penguar kështu funksionimin normal te parlamentit", thuhet në këtë deklaratë. Ata i bëjnë thirrje opozitës që të respektojë plotësisht Kushtetutën e vendit dhe shtetin ligjor, duke i kujtuar se "kjo është një nga kriteret e Kopenhagenit që duhet përmbushur për t'u anëtarësuar në BE". Në deklaratën e tyre nuk anashkalohet dhe fakti se "megjithëse qeveria shqiptare ka bërë një sërë lëshimesh për të pranuar kërkesat e opozites, duke i dhënë asaj shumicën dhe drejtimin e komisionit hetimor parlamentar, zoti Rama dhe opozita kanë vijuar me kërkesa të reja që bien ndesh me Kushtetutën, ligjin elektoral dhe vendimet e mëparshme të gjykatave. Kjo na bënë të mendojmë se zotit Rama nuk i intereson një zgjidhje politike në respekt të ligjit dhe Kushtetutës". Në vijim ata shprehen se "ne ju kujtojme se pavarësisht kësaj dhe akuzave të bëra nga opozita, qeveria e kryeministrit Sali Berisha është legjitime dhe parlamenti funksionon normalisht". Në deklaratën e tre zyrtarëve evropianë theksohet se procesi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë nuk duhet të vihet në dyshim nga situata politike aktuale. "Besojmë se një përpjekje e tillë do të ishte në dëm të popullit shqiptar, thuhet më tej në këtë deklaratë". Duke përshëndetur progresin e arritur nga qeveria shqiptare, ata kanë shprehur besimin se këshilli dhe parlamenti duhet të miratojnë heqjen e vizave për Shqipërinë nga fundi i 2010. "Ne mendojme se BE duhet te mbështesë dhe inkurajojë qeverinë shqiptare në hapat e saj drejt forcimit te demokracisë dhe integrimit në BE, së cilës ajo i takon", përfundon deklarata e tyre. PPE është partia më e madhe dhe me më influencë e partive europiane të qendrës së djathtë që përbëhet nga 73 parti anëtare nga 39 vende, kryetarë komisionesh, këshilli dhe parlamenti, 14 kryetarë vendesh anëtare të BE-së dhe 5 kryetarë vendesh jo anëtare të BE-së, 13 anëtarë të Komisionit Europian, etj. /k.sh/
KOMENTE