Tiranë, 25 Qershor, NOA – Nën operacionin e koduar “Dajti”, forcat e policisë së Tiranës, kanë bërë të mundur finalizimin e një super-aksioni, duke sekuestruar në Linz të Dajtit rreth 25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si e llojit kanabis sativa, duke arrestuar në flagrancë edhe 2 persona.
Lajmi është konfirmuar prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se poseduesit dhe shpërndarësit e kësaj sasie lënde narkotike janë Fatjon Balla, 27 vjeç dhe Denis Duka, 26 vjeç; që të dy banues në Shën-gjergj të Tiranës.
Mësohet se këta dy persona u kapën pas informacioneve të poseduara për ta, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Linz të Dajtit, po transportonin me automjetet e tyre sasinë prej 25 kg e 600 gram lëndë narkotike kanabis sativa.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me targa PD B16670, u gjetën 3 thasë të mbushur me bimë e dyshuar narkotike kanabis sativa, me peshë 25 kg.e 600 gram me gjithë ambalazh.
Nga hetimet paraprake, rezultoi se dy të lartpërmendurit e realizonin shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në tregun e brendshëm në Tiranë, kryesisht në zonat e Kinostudios, zona e Bërrylit etj, në Tiranë.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA