Përmbledhje - Itali - Greva E Përgjithshme E Mijëra Personave Pengon Qarkullimin
MILANO, 25 qershor /ATSH-AFP/ - Transporti publik, trafiku ajror dhe hekurudhor, janë bllokuar në mënyrë të moderuar sot nga një grevë e përgjithshme e ndërmarrë nga sindikata ialiane CGIL, e cila u shpreh se mblodhi një milion manifestues kundër një plani qeveritar të masave të rrepta ekonomike.
Qeveria i kundërshtoi këto deklarata, pasi ministri i Punës Maurizio Sacconi foli për "pjesëmarrje të dobët" në një lëvizje ku nuk merrnin pjesë dy sindikatat e tjera të mëdha CISL dhe UIL.
Kjo grevë organizohej një ditë pas manifestimeve masive në Francë kundër një projektreforme të pensioneve, ku morën pjesë rreth dy milionë persona sipas sindikatave, rreth 800 000 sipas policisë.
Në Itali dolën në rrugë një milion persona, sipas Cgil, veçanërisht në Bolonjë (100 000), Milano (80 000) dhe Napoli (70 000). Por, policia i përgjysmoi këto shifra, duke e vlerësuar kështu numrin e manifestuesve në 35 000 në Milano.
Jepen pak shifra për pjesëmarrjen e grevistëve. Sipas Ministrisë së Funksionit Publik, "në një grup me 30 për qind të punësuar, 2,27 për qind kishin shkuar në grevë orët e para të pasdites".
Qarkullimi i autobusëve dhe metrove ishte pak i ngadalësuar në Romë dhe Napoli në mëngjes dhe në Milano orët e fundit të ditës, çdo rajon ndërpreu punën për katër orë në orare të ndryshme.
Shoqëria e hekurudhave "Ferrovie dello Stato" u shpreh se trafiku ishte normal për trenat për distanca mesatare dhe të gjata.
Sipas Filt-Cgil, në transportin ajror, pjesëmarrja në grevë ishte "shumë e lartë me 86 fluturime të anuluara në mesditë në aeroportin Fiumicino". Por, disa burime aeroportuale folën për rreth 40 fluturime të anuluara.
Filt njoftoi se në Romë dhe Napoli, disa linja metroje janë bllokuar dhe rreth 50 për qind të autobusëve nuk kanë qarkulluar. Sipas Atac që administron transportet në Romë, në grevë kanë marrë pjesë 38 për qind të punonjësve dhe autobusët qarkullonin.
Sipas Cgil, 40 000 manifestues, të cilët valëvisnin flamuj të kuq të sindikatës, ishin mbledhur në sheshin Farnese, në Romë.
"Është një plan i çekuilibruar. Jemi punonjësit më pak të paguar në Evropë. Me planin e saj, qeveria godet ata që nuk kanë më forcë", u shpreh për AFP-në një pensionist.
Masat e rrepta ekonomike të qeverisë, të miratuara për shëndoshjen e financave publike dhe për të qetësuar tregjet nga borxhi i Italisë (më tepër se 118 për qind të PBB-së) kanë të bëjnë me më tepër se 24,9 miliardë euro për vitet 2011 dhe 2012.
Ky plan parashikon ndër të tjera, një zvogëlim të shpenzimeve publike nëpërmjet ngrirjes për tre vjet të pagave të funksionarëve, një zvogëlim me 10 për qind të buxheteve të ministrive dhe të ndihmave për komunat, si dhe një forcim të luftës kundër evazionit fiskal.
"Këto masa të rrepta buxhetore duhet të ndryshohen, sepse janë vetëm punëtorët, administratat lokale dhe qytetarët që kanë pasoja prej tyre", deklaroi numri dy i CGIL Susanna Camusso, në Bolonjë.
"Askush nuk e mohon nevojën e përmirësimit të financave të vendit, por duhet të mendohet për të ardhmen dhe jo vetëm për shkurtime buxhetore", shtoi ajo.
Dje, Confindustria, sindikata italiane e drejtuesve të ndërmarrjeve publikoi një raport ku njoftohet se vendi ka dalë nga recesioni dhe se rritja mendohet të jetë më e lartë nga sa parashikohej për këtë vit dhe në vitin 2011. Por, papunësia pritet të rritet ende pas humbjes së 528 000 vendeve të punës gjatë krizës dy vjeçare.
/I.Pu.