English

Prioritet Ekuivalentimi I Programeve Me Kolegjet E Mbrojtjes Së Vendeve Të Nato-S

- Diplomohen ushtarakë në Kursin e Lartë të Oficerit dhe në Kursin e Shtabit të Përgjithshëm - TIRANË, 25 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Akademia e Mbrojtjes "Spiro Moisiu" synon ekuivalentimin e programeve të saj me akademitë dhe kolegjet e mbrojtjes së vendeve të NATO-s. Në mjediset e Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinave u organizua sot ceremonia e diplomimit të ushtarakëve të Kursit të Lartë të Oficerit dhe Kursit të Shtabit të Përgjithshëm 2009-2010, në këtë Akademi. Prof. Kol. Kristaq Xharo, Komandat i kësaj shkolle, tha se përfundimi i studimeve në këtë kurs është ekuivalent me kualifikimet e komandave dhe shtabeve të kolegjeve të luftës dhe sigurisë, që zhvillohen në vendet e NATO-s. "Në përvjetorin e 52-të Akademisë së Mbrojtjes ju jeni akademistët e parë të laureuar pas ngjarjes historike të anëtarësimit të vendit në NATO", iu drejtua Komandant Xharo, studentëve të pranishëm. Sipas tij, një numri të konsiderueshëm prej tyre do t'iu jepet mundësia për të shërbyer në strukturat e NATO-s, pasi programet akademike synuan këtë përgjegjësi, duke sjellë një model të ri në përvetësimin e shkencës ushtarake. Duke vënë në dukje se në këto Kurse u diplomuan dhe një numur ushtarakësh nga Kosova, Prof/kol. Xharo bëri të ditur se në muajin shtator 2010 Akademia e Mbrojtjes do të rihapë auditoret për Kolegjin Rajonal. "Është hera e tretë që nivelet më të larta të lidershipit politiko-ushtarak të vendit tonë do të ndjekin studimet në këtë Kolegj. Krahas tyre, pjesëmarrës nga Italia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja, Maqedonia etj, kanë shprehur interes për të ndjekur studimet në këtë Kolegj, baza e suksesit të të cilit qëndron tek programet atraktive dhe stafi pedagogjik cilësor", tha komandanti i Akademisë 'Spiro Moisiu". Ai bëri të ditur se në këtë Kolegj, në tre vitet e fundit, kanë referuar rreth 80 profesorë të huaj nga SHBA, Italia, Qendra "Marshall", Turqia, Gjermania, Anglia, Franca, etj. Akademia e Mbrojtjes si një institucion arsimor ushtarak ka si prioritet të saj bashkëpunimin me institucionet homologe. Kursi i Oficerit dhe ai i Shtabit të Përgjithshëm i mundëson ushtarakëve të njihen me çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe karakteristikat e operacioneve luftarake, në përbërje të Aleancës dhe operacioneve paqeruajtëse./s.s./
KOMENTE