English

Provime Me Zgjedhje Edhe Për Mbetësit Në Provimet E Detyruara

TIRANE, 25 Qershor/ATSH/- Maturantët, të cilët kanë marrë vlerësimin negativ në provimin e parë të detyruar, do të mund të japin provimet me zgjedhje. Por kjo nuk do të thotë se ata do të konkurrojnë gjatë këtij viti për studimet e larta në Universitetet Publike. Në rregulloren e Maturës është përcaktuar se marrja e notave negative nuk do të kushtëzojë dhënien e provimeve me zgjedhje. Maturantët do të mund t'i japin këto provime, megjithatë nuk do të lejohen të përfshihen në procesin e konkurrimit për universitete. Këto rezultate do të jenë të vlefshme për t'u përdorur gjatë garës së pranimeve që do të zhvillohet një vit më vonë, pasi kandidati të ketë shlyer dhe detyrimet mbetëse. Procesi i konkurrimit do të lejohet vetëm për ata kandidatë që do të marrin vlerësimin kalues në të katër provimet. Këta të fundit, në formularin A2 do të mund të listojnë 10 degë sipas rendit zbritës, duke filluar nga më e preferuara deri te më pak e pëlqyera. Renditja e preferencave në formularin A2 do të jetë e kushtëzuar për ata kandidatë që duan të vijojnë studimet e larta në Akademitë sportive apo artistike. Këta studentë duhet të listojnë vetëm degët e këtyre akademive dhe jo ato të universiteteve të tjera. Kjo, sepse në rregullore përcaktohet se mund të aplikojnë për shkollë të lartë, pa qenë nevoja të japin provimet me zgjedhje, të gjithë ata kandidatë që duan të vijojnë studimet pranë degëve të Akademisë Sportive, asaj të Arteve apo profileve të tjera profesionale. Pranimet në këto degë do të kushtëzohen nga marrja e rezultateve në konkursin special që do të zhvillohet për secilën prej tyre. Zhvillimi i konkursit dhe nxjerrja e rezultateve të konkursit do të bëhet para plotësimit të formularit A2. Në këtë mënyrë, nxënësit do të kenë vetë mundësi që të bëjnë përllogaritjet se sa pikë mund të fitojnë gjithsej, për të renditur saktë degët ku kanë më shumë probabilitet për t'u shpallur fitues. Përjashtim nga ky rregull do të bëjë vetëm dega e arkitekturës, ku kandidatët, përveç provimeve me zgjedhje, do të duhet të kalojnë edhe në sitën e konkursit specifik, që do të zhvillohet gjatë muajit korrik./e.gj/s.s./
KOMENTE