English

Rama: Miratimi i ndryshimit në rregullore, grusht shteti ndaj drejtësisë

Tiranë, 25 qershor, NOA Update – Ndërsa projektrezoluta e PE-së, thekson domosdoshmërinë e një sistemi drejtësie transparent, në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, e ka cilësuar miratimin e djeshëm të ndryshimit të rregullores në kuvend si një grusht shteti ndaj drejtësisë.

Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se opozita do të reagojë në vijim me të gjithë forcën që i lejon ligji, në një reagim të plotë që do të formulohet nga grupi parlamentar socialist, e që sipas Ramës do të jetë i barazvlershëm me aktin brutal të mazhorancës që e kthyen sallën e Kuvendit të Shqipërisë në një kazermë të kryekomandantit Berisha.

Duke e quajtur votën në kuvend si dëshirën e kësaj mazhorance për ta kthyer vendin në një mbretëri të pashpallur, Rama dëshmoi bindjen e fortë se opozita këtë deformim pushteti nuk do ta lejojë kurrsesi.

Lideri socialist, nënvizoi se pa transparencë të zgjedhjeve nuk mund të arrihet asnjë kompromis, ndaj ai i bëri thirrje mazhorancës të bëhet e përgjegjshme në zgjidhjen e krizës politike.

Sipas Ramës, nëse negociatat në vazhdim nuk do ta zgjidhin ngërçin politik plot njëvjeçar, atëherë beteja e socialistëve do të jetë e hapur për protesta të reja.

Duke e cilësuar se liberalizimi i vizave tashmë është një fakt pas miratimit të projektrezolutës së PE-së, lideri i opozitës, bëri një rilexim të rezolutës sipas tij të lexuar jo drejt nga qeveria.

Sipas Ramës në referim të projektrezolutës, ajo i bën thirrje forcave politike në vend të zgjidhin krizën politike, dhe të bien dakort për një ndërmjetësim ndërkombëtar me anëtarë të PE-së apo Këshillit të Evropës, për zgjidhjen e saj.

Rama iu referua disa pikave të rezolutës së PE-së, ku ajo nënvizon se duhet të merren hapa të qënësishëm për të përmbysur situatën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, vendosjen pra të një sistemi gjyqësor të drejtë dhe transparent.

Sipas Ramës projektrezoluta bën apel për shkallën e lartë të informalitetit ekonomik, rritjen e papunësisë, një tregu pune tërësisht të çrregulluar, rritjen e borxheve, procesin e parregullt të regjistrimit të pronësisë, kompensimet e ndryshme të pronës që mbeten jo transparente, politizimin të administratës publike dhe klimën e pafavorshme të biznesit dhe politizimin e administratës shtetërore.

Të gjitha këto pika të projektrezolutës, tha Rama, janë shprehur me një gjuhë diplomatike evropiane dhe asesi nuk mund të na krenojnë, por shprehin qartë gjendjen alarmante të vendit e vërejtur në distancë nga BE.

mit/NOA

KOMENTE