Rama:P/Rezoluta E Pe-Së, Pasqyrë Dramatike E Situatës Në Vend
TIRANË, 25 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste, në opozitë, Edi Rama, deklaroi sot se projektrezoluta për Shqipërinë, e miratuar dy ditë më parë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, "përbën një pasqyrë dramatike të situatës së vendit".
"Pikat e një p/rezolute, që është në proces drejt seancës parlamentare të PE-së, përbëjnë një pasqyrë dramatike të situatës në Shqipëri, që e përshkruar me gjuhën e politikës europiane, është alarmante", tha kryetari i opozitës gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.
Duke iu referuar pikave të p/rezolutës, ai tha se në të shprehet keqardhje për mungesën e kompromisit mes maxhorancës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve, gjatë seancave në parlament, ndërsa i bëhet thirrje palëve të zgjidhin krizën politike.
Rama u fokusua tek pikat kritike të këtij dokumenti, i cili sipas tij, "nënvizon shkallën e gjerë të informalitetit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë dhe njëkohësisht vëren rritjen e borxheve, të cilat janë një plagë që po hapet për ditë, me kosto të pallogaritshme".
"Me përjashtim të pikës së inkurajimit të liberalizimit të vizave, pikat e tjera të p/rezolutës janë një bllok detyrash të rënda shtëpie dhe shprehje e krizës ku ndodhet vendi", tha Rama.
Ai u ndal dhe tek ndryshimi i rregullores së Kuvendit për votim të hapur të dekreteve të Presidentit, duke vlerësuar se ato "i heqin deputetit të drejtën e votës së fshehtë, në emër të transparencës"../a.s/s.s./