English

Shqiperia, E Vendosur Te Mbaje Ritmin Me Te Larte Te Investimeve Ne Europe

-Kryeministri Berisha shprehet se "ekonomia shqiptare po i reziston krizës ekonomike botërore, pasi rritja e saj është e bazuar në investime"- TIRANE, 25 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- "Ekonomia shqiptare po i reziston krizës ekonomike botërore, pasi rritja e saj është e bazuar në investime", tha sot Kryeministri Sali Berisha, duke siguruar se Shqipëria është e vendosur të mbajë ritmin më të lartë të investimeve në Europë, sepse ka nevojë jetike për t'u ndërtuar dhe rindërtuar. Kryeministri Sali Berisha u njoh sot nga afër me demonstrimin e teknologjive të reja për ndërtimin e rrugëve rurale me kosto të ulët dhe në një kohë të shpejtë, në rrugën dytësore që lidh fshatin Domje të Komunës Bërxull me autostradën Tiranë-Durrës. Në fjalën e mbajtur para banorëve të zonës, Kryeministri Berisha u ndal te situata ekonomike e vendit, në një kohë kur Europa dhe mbarë bota po përballen me krizën dhe pasojat e saj. "Natyrisht që pasojat e krizës pasqyrohen edhe në ekonominë shqiptare, që është një ekonomi globale, por nga ana tjetër sot kjo ekonomi qëndron më mire se çdo ekonomi tjetër në rajon dhe Europë", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "nuk ka ndonjë vend tjetër që të ketë trefishuar eksportet si Shqipëria gjatë 5 muajve të këtij viti". "Nuk di ndonjë vend tjetër ku regjistrimi i bizneseve të reja të jetë rritur me 30 për qind këtë vit krahasuar me vitin tjetër. Nuk ka ndonjë sistem tjetër bankar ku depozitat të jenë rritur me 14 për qind këtë vit karahasuar me vitin tjetër", tha Berisha. Edhe pse vështirësitë e krizës ekonomike pasqyrohen, vijoi ai, ekonomia shqiptare reziston, sepse ajo nuk është e bazuar në 'flluska', por është e bazuar në parime të shëndosha. Kryeministri garantoi pensionistët dhe punonjësit e administratës se këtë vit sërisht do të kenë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve të tyre. /k.sh/
KOMENTE