Shqipëria Me Teknologji Të Re Për Ndërtimin E Rrugëve Rurale
TIRANË, 25 Qershor/ATSH- Maela Marini/- Për herë të parë Shqipëria do të përdorë një teknologji të re për ndërtimin e rrugëve rurale, një teknologji që bazohet në shfrytëzimin e materialit gjeologjik ekzistues të rrugës, i cili përzihet me çimento dhe bitum.
"Kjo teknologji aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe Ballkan dhe mundëson ndërtimin me shpejtësi të lartë, cilësi dhe kosto të leverdishme të rrugëve", tha Kryeministri Sali Berisha të premten, gjatë një vizite në Domje të komunës Bërxull, Tiranë, ku Delia Construction dhe Wirtgen Group demonstruan këtë teknologji të re.
Sipas tij, përdorimi kësaj teknologjie hap një kapitull të ri në përmirësimin e infrastrukturës në vend.
Kryeministri Berisha vuri në dukje angazhimin e qeverisë për të përmirësuar infrastrukturën në Shqipëri, kusht kryesor për zhvillimin e vendit. "Mandatin e kaluar asfaltuam 6 mijë kilometra rrugë, por kemi dhe 7 mijë kilometra të të tjera për t'u asfaltuar. Përdorimi i kësaj teknologjie na jep siguri të plotë se gjatë këtij mandati mund të finalizojmë në kohë rekord asfaltimin e të gjitha rrugëve", tha ndër të tjera Berisha. /k.sh/