Shqipëria Ofron Potenciale Të Mëdha Në Turizëm E Infrastrukturë
-Kryetarja Topalli takon Ministrin e Jashtëm të Emirateve, Sheik Zayed -
TIRANE, 25 Qershor/ATSH/.-Rritja e bashkëpunimit ekonomik, marrëdhëniet parlamentare dhe Kosova ishin në fokus të takimit që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed al Nahyan.
"Jemi krenarë dhe shumë të kënaqur për nivelin politik të marrëdhënieve tona, por kemi mundësi dhe duhet të bëjmë më shumë për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik", tha Ministri i Jashtëm, Sheik Zayed.
Duke ndarë të njëtin mendim me të, kryeparlamentarja tha se "nxitja e investimeve është një prioritet, ashtu siç është tashmë realitet rritja e interesit të investitorëve të huaj për të ardhur në Shqipëri. Vendi ynë ofron potenciale të mëdha në turizëm, infrastrukture, energjitikë etj, dhe biznesi në Shqipëri gjen një klimë shumë të favorshme e siguri të plotë."
Topalli falenderoi Ministrin e Jashtëm të Emirateve, për faktin se vendi i tij ishte i pari në Gjirin Persik që njohu pavarësinë e Kosovës.
"Pavarësia e Kosovës ishte një nga qëllimet e vizitës që pata para pak kohësh në Gjirin Persik dhe ky vendim i Emirateve ishte një inkurajim edhe për vendet e tjera. Kosova është një realit i pakthyeshëm dhe tashmë ky shtet i ri ka institucione të forta, shtet ligjor dhe një demokraci funksionale", nënvizoi kryetarja e Kuvendit.
Në këtë kuadër, kryediplomati i Emirateve të Bashkuara e njohu Topallin me takimin e një dite më parë me disa vende arabike, duke theksuar se "në këtë takim, personalisht ftova edhe vendet e tjera të njohin pavarësinë e Kosovës".
Duke u ndalur në diplomacinë parlamentare, Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për rritjen e shkëmbimeve parlamentare, duke i përcjellë kryetarit të Parlamentit të Emirateve, përmes Ministrit të jashtëm, përshëndetjet dhe ftesën për një vizitë në Tiranë.
Sheik Zayed, duke shprehur kënaqësinë për ftesën e Topallit, tha se "do t'i sugjeroja kryeparlamentarit të Emirateve të marrë në delegacion edhe një numër deputetesh, të cilat zenë 23% të parlamentit të këtij vendi"./a.s//n.m/