Shqiptarët Paguajnë Vetëm 2400 Leke Në Vit Për Sigurimet E Detyrueshme Dhe Vullnetare
TIRANE, 25 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/ . - Shqiptarët paguajnë në vit 2400 lekë për sigurime të detyrueshme dhe vullnetare të automjetit, pronës dhe jetës. Studimi i fundit i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi shpërndarjen gjeografike të sigurimeve, tregon se gjatë vitit 2009 janë shpenzuar rreth 78 milionë lekë për kontrata të ndryshme sigurimi, kurse për dëmet janë paguar 17 milionë lekë.
Duke parë hartën e sigurimeve në të gjithë vendin, banorët e Tiranës kanë paguar mesatarisht nga 5700 lekë dhe pas tyre vijnë Gjirokastra me 3400 lekë e Durrësi me 2100 lekë për frymë. Pjesa veriore e Shqipërisë ka nivelin e sigurimit më të ulët, që shkon mesatarisht në 1 mijë lekë për frymë.
Të ardhurat nga sigurimi i jetës janë rritur ndjeshëm dhe kjo sidomos për kryeqytetin, pasi për të marrë një kredi në bankë më parë duhet të jesh i siguruar për jetën në kompanitë e sigurimit që ofrojnë këtë shërbim. Referuar të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në produktet e jetës vihet re se Prefektura Tiranë zë rreth 80 për qind të tregut. Peshën më të madhe prej rreth 73 për qind në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti "Jetë debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive, individëve dhe personave juridikë. Referuar të dhënave, në prefekturat e mëdha, ku është përqendruar biznesi dhe bankat, pesha specifike e produkteve të jetës është më e larta./s.s./