Shkup, 25 Qershor, NOA - Maqedonasit kryesojnë listën e shtetësive të përfituara bullgare, për dallim nga shtetasit e tjerë të huaj, njofton agjencia bullgare e lajmeve “Fokus”.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, nga 9.300 shtetësi të lëshuara nga Ministria e Rendit e Bullgarisë, 7.201 prej tyre janë dhënë për shtetas të Maqedonisë, të cilët mund të përfitojnë të drejtën e dyshtetësisë.
“Kësaj radhe maqedonasit tejkaluan edhe moldavët, të cilët deri tani kanë kryesuar”, ka theksuar ministri bullgar i diasporës, Bozhidar Dimitrov, për agjencinë e lajmeve “Fokus”.
Sipas tij, në mbledhjen e sotme të Këshillit për lëshimin e shtetësive bullgare, këtë drejtë e kanë përfituar 271 maqedonas, të cilët janë bërë shtetas të Bullgarisë.
“Kërkesat e maqedonasve kalojnë më lehtë, sepse nuk kërkojmë dëshmi për origjinën e tyre bullgare. Shteti ynë pranon se gjithë maqedonasit janë me shtetësi bullgare”, ka theksuar ministri Dimitrov, duke shtuar se maqedonasit me fenë islame, duhet që të dëshmojnë origjinën e tyre bullgare.
NOA/INA