English

Sindikata e policëve: Të rishikohet nga GJK barazia e shpërblimeve të policëve

Tiranë, 25 qershor, NOA – Kryetari i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta apeloi sot vendimin e marrë një ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 mbi Sigurimin Shoqëror Suplementar, nga i cili përfitojnë edhe punonjësit e policisë.

Edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor në bazë të një kërkese të bërë nga sindikata, sipas kreut të sindikatës së policëve, në këtë vendim Gjykata Kushtetuese nuk ka vlerësuar të gjitha pretendimet e arsyetuara nga avokatët e sindikatëës, duke shfuqizuar një nen shumë të rëndësishëm që dëmton përfitimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, në një masë majft të konsiderueshme.

Fishta bën të ditur se pika 2 e nenit 14, vendoste kufizime në masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për të dy kategoritë, si ato që paguanin kontribut suplementar ashtu edhe ato që nuk paguanin.

“Neni kishte vendosur tavan për përfitimet suplementare të punonjësve të policisë deri në dy paga të pensionit bazë të pleqërisë. Tashmë, ky kufizim tavan është hequr dhe njëkohësisht hiqet barazia në shpërblim e punonjësve të policisë për kontributet që kanë derdhur gjatë karrierës së tyre”, theksoi kryesindikalisti i policisë.

Sipas Fishtës, sindikata e policëve do të vazhdojë të mbrojë punonjësit e policisë për çdo cënim që u bëhet të drejtave të tyre kushtetuese ligjore dhe do të kërkojnë zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre në të gjithë nivelet institucionale si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Në këtë takim të sindikatës së policëve kreu i saj tha se kjo sindikatë është pjesë e Unionit të Sindikatave Policore të vendeve të Bashkimit Evropian, CESP.

mit/NOA
KOMENTE