Soft News - Refuzohet Në Radhët E Policisë Sepse Është Qeros, Por Fiton Në Apel
LONDËR, 25 qershor /ATSH-ANSA/ - Dëshironte të bëhej një oficer policie në Irlandën e Veriut, por karriera e tij u ndërpre për shkak se është qeros. Kjo histori e çuditshme i ndodhi një personi i cili ishte refuzuar gjatë rekrutimeve në radhët e policisë sepse ishte plotësisht qeros, dhe rrjedhimisht nuk kishte flokë për kryerjen e testeve rutinë antidrogë.
Por situata u zgjidh nga një gjykatë e Belfast, e cila shqyrtoi çështjen dhe vendosi se personi në fjalë është diskriminuar dhe se duhet të marrë sërish pjesë në procesin e përzgjedhjes së oficerëve të rinj. BBC njofton se, pasi është konstatuar se personi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, nuk mund të japë flokë të gjatë të paktën 3 centimetër që nevojiten për testin, përgjegjësit e rekrutimeve të policisë i kanë kërkuar si alternative 200 qime trupore. Por kandidati nuk arriti ta plotësojë as këtë kërkesë dhe për këtë arsye është refuzuar.
"Një vendim irracional dhe diskriminues", deklaroi personi të cilit tashmë i është garantuar një tjetër mundësi për t'iu nënshtruar testeve dhe për të nisur karrierën e policisë. Përgjegjësit e forcave të rendit njoftuan se kriteret e rekrutimeve do të verifikohen sërish që raste të tilla të mos ndodhin më.
/e.v/