English

Spahiu: Politika Të Japë Konsensusin Për Reformen Në Drejtesi

TIRANE, 25 Qershor/ATSH- Andi Myrte/-Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Kreshnik Spahiu, i bëri apel sot forcave politike që të bashkepunojnë për të realizuar reformën në sistemin e drejtësisë. Në ceremoninë e organizuar në Hotel "Sheraton, me rastin e përfundimit të një projekti të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për forcimin e Shtetit Ligjor në Shqipëri, Spahiu shprehu nevojën urgjente për realizimin e kësaj reforme. Duke iu drejtuar forcave politike, numri 2 i KLD-së, tha se ato duhet të mundësojnë dhënien e konsensusit për këtë reformë. Aktualisht, mungesa e konsensusit ka penguar miratimin në Kuvend të disa ligjeve organike në këtë fushë që kërkojnë shumicë të cilësuar si ai për "Gjykatat Administrative", për Konferencen Gjyqesore, ndryshimet ne Kodin Penal e Civil etj. "KLD, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, ka hedhur piketat e reformës në drejtësi. Por, pa konsensusin e forcave politike do të jetë e pamundur realizimi i kësaj reforme", tha Spahiu. Vazhdimi i reformimit të sistemit të drejtësisë, ishte edhe mesazhi i dhënë nga shefi i programeve të USAID, Sean Huff, i cili pasi vlerësoi hapat e bëra, tha se "Shqipëria ka energji për të vazhduar me reforma të mëdha". Në fjalën e tij, z. Huff theksoi rëndësinë në një shtet të së drejtës, të një sistemi gjyqësor të pavarur, transparent dhe që gëzon mbeshtetjen e publikut. "Besimi i qytetarëve te gjyqësori është standardi më minimal në një demokraci", tha përfaqësuesi i lartë i USAID-it, duke nënvizuar si një komponent të rëndësishëm edhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë aktivitet, USAID prezantoi rezultatet e projektit tre vjeçar të zbatuar në vendin tonë për Shtetin Ligjor, që synon përmirësimin e performancës së Gjykatave, rritjen e transparances së tyre si dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore si Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive (ILDKP) në luftën kundër korrupsionit. Përfitues të projektit të USAID, me një vlerë prej 5.1 milionë dollarë, ishin 10 Gjykata të Shkallës së Parë e të Apelit, të cilat kanë arritur që të përmirësojnë infrastrukturën, duke futur për herë të parë sistemin e kompjuterizuar të mbajtjes së saktë të procesverbaleve gjyqësore, regjistrimin audio të seancave, sistemin për arkivimin e dosjeve gjyqesore etj. Në këtë kuadër, janë hapur edhe zyrat e informimit të publikut në disa Gjykata./s.s./
KOMENTE