Tiranë, Sekuestrohet 26 Kg Kanabis Sativa, Në Pranga Dy Shtetas
TIRANË, 25 Qershor /ATSH/.- Policia e Tiranës sekuestroi në orët e vona të së enjtes 26 kg kanabis sativa si dhe arrestoi në kushtet e flagrancës dy persona, të cilët nga hetimet e deritanishme e tregtonin lëndën narkotike në tregun e brendshëm në Tiranë, kryesisht në zonat e Kinostudios, atë të Brrylit, etj.
Operacioni i policisë së Tiranës u finalizua në fshatin Linzë, në periferi të Tiranës, pak orë pas operacionit në rrugën "Don Bosko", ku u bllokuan mbi 5 kilogram drogë që dyshohet e llojit heroinë dhe u arrestuan 5 persona.
"Në operacionin e finalizuar në Linzë u arrestuan Fatjon Balla, 27 vjeç dhe Denis Duka, 26 vjeç, nga Shëngjergji i Tiranës", thanë burime zyrtare të Policisë së Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe dy automjetet me të cilën këta shtetas transportonin lëndën narkotike. /m.sh/s.s./