English

Trashani Fton Deputetët Socialistë Të Bashkëpunojnë Për Përmirësimin E Kodit Elektoral

TIRANË, 25 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani ftoi sot, deputetët socialistë që të bashkohen me mazhorancën për t'i bërë përmirësime të tjera kodit elektoral. Në një konferencë për shtyp, Trashani tha se "në vend të përshëndetjes për rezolutën e liberalizimit të vizave, Edi Rama e quajti atë një katastrofë alarmante". "Edi Rama dështoi në përpjekjen e tij për të shtyrë vendimin e liberalizimit të vizave. Në fakt kjo ishte fiaskoja e fundit e turpshme e tij. Natyrisht, askush nuk priste që ai të kishte kurajën që të përshëndeste këtë vendim historik", tha Trashani. Duke kujtuar se liderët e grupeve të djathta e të majta i kanë kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të fillojë punën për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR për Kodin elektoral, Trashani i kërkoi Ramës që mos t'i vendos më në pozita qesharake dhe kundër interesave të popullit deputetët e PS-së. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se projektrezoluta për Shqipërinë, e miratuar dy ditë më parë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, "përbën një pasqyrë dramatike të situatës së vendit". Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi dy ditë më parë me 59 vota pro dhe 1 kundër, rezolutën për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë./n.m/
KOMENTE