Tiranë, 25 qershor, NOA – Shefi i programeve të USAID-it, Sean Huff, në një takim me ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiut, ka deklaruar se korrupsioni në drejtësi mund të luftohet vetëm me transparencë.
Këtë deklaratë Huff e bëri në mbyllje të projektit të USAID për shtetin ligjor në Shqipëri.
Sipas informacioneve të marra në terren gjatë projektit për mbarëvajtjen e shtetit ligjor, Huff theksoi se gjykatat duhet të jenë të hapura, dhe se ky është një nga shkaqet që ka rënë edhe besimi i qytetarëve shqiptarë tek organet e drejtësisë, një situatë kjo shqetësuese për drejtësinë shqiptare.
Por, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, duke bërë me dije për reformat e rëndësishme që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, i tha kreut të programit të se forcimi i pushtetit gjyqësor mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.
Projekti i USAID, kushtuar shtetit ligjor, i nisur dy vjet më parë, ishte fokusuar në rezultatet mbi përmirësimin dhe përgjegjshmërinë e punës në 10 gjykata në rang vendi, si dhe në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive.
mit/NOA