English

Usaid, Informim Bizneseve Mbi Burimet Financiare

TIRANE, 25 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Shkëmbimi i informacionit mbi mjetet financiare në dispozicion të bizneseve shqiptare për të investuar në teknologji të reja dhe zgjerimin e aktiviteteve, ishin në qendër të një takimi me sipërmarrës të biznesit, përfaqësues nga institucionet financiare bankare dhe jo bankare, organizuar nga programi i USAID-it, "Rritje Albania" dhe Agjencia Rajonale e Zhvillimit (ARZH). Takimi në Tiranë është pjesë e një projekti që synon rritjen e informimit të komunitetit të biznesit dhe mënyrat e reja të financimit, pas një seri tryezash tre muajt e fundit në Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Pogradec dhe Vlorë. Victor Luboyeski, Drejtor i Programi i USAID-it, "Rritje Albania", e vlerësoi këtë takim si një mundësi reale, ku sipërmarrja dhe aktorët e institucioneve parashtrojnë kërkesat dhe ofertat e bashkëpunimit. "Në kushtet aktuale, kur ekonomia botërore ka hapur kufitë dhe barrierat, ka lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave e shërbimeve, që krijojnë tregun global, krijohen mundësi për bizneset shqiptare për të hyrë në tregje të reja, që në të njëjtën kohë bartin dhe vështirësinë në lidhje më konkurrencën e teknologjitë bashkohore, që nuk janë aplikuar ende në Shqipëri", tha ai. Në këtë konteks, këto takime synojnë të identifikojë informacionin për problemet e biznesit që lidhet me burimet e financimit për rritjen e konkurueshmërisë dhe zgjerimin e aktivitetit. "Burimet financiare në dispozicion të bizneseve shqiptare përfshijnë jo vetëm kreditë nga insktitucionet financiare dhe bankare dhe partnerët e tyre, por edhe leasing-un dhe pjesëmarrjen me aksione", tha Victor Luboyeski. Konsulentja e tregut dhe investimeve, Dr.Anila Kaba e projektit të USAID, tha se "ky mjet i ri është aktualisht ende i pashfrytëzuar në potencialin e tij nga sipërmarrësit shqiptarë". Projekti i USAID-it ofron asistencë teknike sipas nevojave të biznesit. Në muajt e ardhshëm Programi parashikon të organizojë takime biznesi për të nxitur partneritetin mes biznesit dhe aktorëve institucionalë./n.m/
KOMENTE