Vlorë: Ambasadori I Shba, Vizitë Në Bashkinë E Qytetit
VLORË, 25 qershor/ATSH-H.Koçi/ - Ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers, po zhvillon një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u takua me kreun e bashkisë, Shpëtim Gjika, dhe prefektin e qarkut, Hasan Halili.
Gjika e njohu ambasadorin Uidhers me problemet e qytetit, duke nënvizuar faktin se, "aktualisht, Vlora është në kulmin e zhvillimit dhe në këtë proces, ka sigurisht dhe problematikën e vet".
Ambasadori Xhon Uidhers nënvizoi se "Vlora ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse Vlora për mua konsiderohet vendlindja e Shqipërisë moderne, sepse këtu në 28 nëntor të vitit 1912 u ngrit flamuri i Skënderbeut pas 500 vjetësh".
Uidhers theksoi se vlerëson ato figura që janë të lidhura dhe kanë kontribuar për Vlorën, mes të cilëve Ismail Qemali, ashtu si dhe të tjerë krijues nga ky qytet.
"Kam patur nderin dhe privilegjin të njihem me Fatos Arapin, i cili është një ndër poetët e mi më të preferuar", nënvizoi Uidhers. Ai vlerësoi punën e kryebashkiakut Gjika dhe të stafit të tij në drejtimin e bashkisë, ndërkohë që shtoi se me përfundimin e mandatit të tij diplomatik, nuk mund të largohej nga Shqipëria pa vizituar Vlorën./ch/