"Zorba" Për Herë Të Parë Në Skenën E Tkob
TIRANË, 25 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Muzikë greke dhe balet shqiptar në një histori tipike ballkanase ofroi sonte baleti "Zorba", që u shfaq premierë në mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Gjatë dy javëve të fundit të qershorit në skenën e TKOB, baleti me përmasa botërore "Zorba" me muzikë të Mikis Theodorakis, do të vijë për publikun kryeqytetas.
Kjo vepër, e cila ka korrur sukses botëror, vihet për herë të parë në skenën shqiptare të operës nga koreografi Arjan Sukniqi, me rreth 200 artistë pjesëmarrës.
Veç solistëve vendas, në këtë balet performuan edhe dy balerinët e njohur shqiptarë, që prej gati dy dekadash jetojnë dhe punojnë në Greqi, Altin Koruti në rolin e Zorbës dhe Bledi Latifi në rolin shkrimtarit Xhon.
Historia e Zorbës, ka si personazhe kryesore Xhonin, një shkrimtar, intelektual i shkolluar në Perëndim dhe Zorba, një fshatar shumë i mençur që pa dijeninë e tij, mbart filozofinë e Niçes, që gjithmonë gjërat i shikojnë në realitete objektive në zhvillimin e tyre. Ngjarjet zhvillohen në vitet e para të shekullit të kaluar në Kretë.
Zorba është një balet filozofik i bazuar në një antagonizëm mes dy mentaliteteve, që nisen nga një pikënisje nga mënyra se si e shikojmë jetën, se si e përballojmë atë duke ngritur pyetjen se kush e shijoi më shumë këtë jetë, ai që e sheh me syrin pragmatist apo ai që e sheh atë me syrin praktik.
Skenografia e baletit me dy akte "Zorba" ishte realizuar nga Platon Bardhi, kostumografia nga Taulant Pustina, mjeshtër kori Dritan Lumshi, dhe dirigjent Edmond Doko.
Në rolet kryesore interpretojnë Altin Koruti, Bledi Latifi, Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Erisa Gina, Dion Gjinika, Odeta Dishnica. Në këtë balet interpretoi pas një shkëputje shumë vjeçare në TKOB edhe këngëtarja Manjola Nallbani./n.m/