Abuzimi Me Drogat-Bashkëpunim I Të Gjithë Aktorëve Për Përballimin E Këtij Fenomeni
TIRANË, 26 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Përballimi i problemit të përdorimit të drogave në Shqipëri tashmë është i konceptuar qartë dhe zbatohet në praktikë, ndërkohë që mjaft i rëndësishëm për përballjen e tij në të ardhmen është vijimësia e bashkëpunimit me të gjithë aktorët.
Në Ditën Botërore të Luftës kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave, gjatë një konference të organizuar në Hotel Tirana International, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, përcolli mesazhe të qarta për trajtimin e problemeve që lidhen me përdorimin e drogës. "Ne jemi këtu për të demonstruar seriozitetin e një problemi që tashmë është jo thjesht medikal, social, por edhe një problem që tashmë është dhe prioritet madhor dhe familjar, aty ku ky problem eksizton", theksoi Vasili.
Ndërsa vuri në dukje ekzistencën e këtij fenomeni në vend dhe hapat e ndërmarra në këtë drejtim nga strukturat shëndetësore, Vasili përmendi krijimin e shërbimeve të këshillimit lidhur me problemet e drogës dhe dhënien e metadonit në disa qytete të vendi si, Elbasan, Tirane, Durrës, Vlorë e Korçë. E po kështu, përdorimi i qendrave të këshillimit rinor që afrojnë asistencë për HIV/AIDS dhe trajtojnë dhe problemet e drogës. "Politika për ta shtrirë këtë shërbim në të gjithë territorin është një përballje e sistemit shëndetësor me problemet medikale, por dhe me ndërthurjen sociale në të, për t'a përballuar në mënyrë profesionale këtë problem në përgjithësi", nënvizoi ministri Vasili.
Ai u ndal edhe në adaptimin e rregulloreve të reja për shërbimin shëndetësor në shkolla, paketën e re të shërbimeve shëndetësore të miratuar vitin e kaluar dhe këshillimin për drogat, si dhe programin e shkollave të shëndetshme të ndërmarrë nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilat përmbajnë elementë për një mobilizim kapilar në këtë problem të rëndësishëm, që po përballet me seriozitetin dhe përgjegjshmërinë maksimale nga Qeveria shqiptare.
Vasili garantoi mbështetjen për çdo familje shqiptare që përballet me këtë problem për t'i lehtësuar barrën, nëpërmjet një veprimtarie shumëplanëshe, qoftë në atë të parandalimit të drogave, qoftë dhe të reduktimit të dëmit. Me këtë rast, ai përcolli një falenderim për të gjithë mjekët dhe specialistët që kanë punuar drejtpërdrejt për reduktimin e përdorimit të drogave. "Mjekësia jonë është gjithnjë e më shumë medikosociale", nënvizoi ai.
Ndërkohë, sipas tij, ISHP, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, kanë ndërmarrë një studim për përhapjen e këtij fenomeni, rezultatet e të cilit do të bëhen publike pas pak kohësh.
Tema e përzgjedhur këtë vit për këtë ditë botërore nga Zyra Kundër Drogave dhe Krimit e Kombeve të Bashkuara është "Mendo për shëndetin; jo për drogën". Arsyeja, sipas Vasilit, është "rikthimi tek një motiv pozitiv ku vlerat e shëndetit në tërësinë e tij janë vlera që e përbuzin, shpërfillin dhe çojnë larg drogën". /a.ke/