Basha : Lufta Kundër Trafikut Të Lëndëve Narkotike Mbetet Ndër Prioritetet Kryesore Të Qeverisë
NË, 26 Qershor/ATSH- Mira Shkurta/. - Lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, jo vetëm për rrezikshmërinë e këtij fenomeni për qytetarët, jetën dhe sigurinë e tyre, por edhe për impaktin negativ që ky fenomen ka në procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin e organizuar nga ministria e Shëndetësisë në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Drogës.
Ministri Basha vuri në dukje se po shfrytëzohen të gjitha burimet njerëzore dhe financiare për reduktimin e prodhimit të drogave, sigurimin e territorit, forcimin e veprimit të ligjit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe atë brenda institucioneve të vendit.
Vetëm gjatë viteve të fundit, tha Basha, janë eliminuar disa prej organizatave më të mëdha kriminale, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtyre bandave, janë vënë para drejtësisë.
"Në se në vitin 2004 në Itali u sekuestruan 1085 kg heroinë e transportuar nga Shqipëria, në vitin 2009, sasia e drogës së sekuestruar në Itali ishte 59 kg", tha ministri Basha.
Ai bëri të ditur se gjatë 5 muajve të parë të vitit 2010 në Shqipëri janë sekuestruar mbi 11 kg heroinë, 605 gr kokainë, 4 936 kg. marihuanë, ndërsa janë proceduar penalisht 358 persona, nga të cilët 277 të arrestuar në flagrancë.
Po kështu, janë goditur 30 grupe kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, me 138 persona të ndjekur penalisht, janë organizuar 21 operacione speciale, 11 operacione ndërkombëtare, gjatë të cilave janë arrestuar në vend 26 persona, ndërsa 8 persona janë arrestuar në Itali, një në Gjermani, një në Suedi, një në Kosovë./s.s./