English

Dossier/ Elbasan: Esnafët, Ata Që Zhvilluan Tregëtinë Dhe Zejtarinë Në Shekullin E Xvi

ELBASAN, 26 qershor /ATSH-Miranda Sadiku/ - Njëqind vjet pas themelimit të qytetit të Elbasanit nga pushtuesit osmanë u vu re një zhvillim i vrullshëm i tregëtisë dhe zejtarisë në këtë qytet. Kjo u bë e mundur nga pozita e favorshme e qytetit si nyjë lidhëse ndërmjet të gjitha trevave shqiptare, e veçanërisht të funksionimit të transportit përgjatë rrugës tokësore Egnatia, e cila niste në portin e Durrësit dhe përshkonte gati të gjithë Ballkanin jug - perëndimor. Por zhvillimi i tregëtisë dhe i zejtarisë do të shoqërohej edhe me reformat më të përsosura të organizimit (korporativ) të esnafëve. Historiani Kreshnik Belegu thotë se "gjurmët e hershme të organizmit esnafnor në fazën embrionale, i takojnë gjysmës së dytë të shekullit XVI. Për herë të parë në vendin tonë ,në vitin 1580, në qytetin e Elbasanit hasen esnafët (tajfat) e tabakëve (lëkurëregjësve), terzinjve, çullhave (leshpunuesve), takijexhinjve, fespunuesve, shpataxhinjve, gëzotarëve, etj". I tillë ishte në vitin 1580 edhe esnafi i tregëtarëve të Elbasanit (Ehli Zymreh) i kryesuar nga disa pleq që kishin krijuar prej shumë kohësh rregullat (beslidhjet, marrëveshjet) e tyre. Organizimi i jetës zejtare, tregëtare, bëhej mbi bazën e një rregulloreje (kanunname) që hartohej mbi bazën e asaj të perandorisë. Në shekullin e XVII në qytetin e Elbasanit kishte 30 esnafë, përfaqsues të 60 llojesh zejesh të ndryshme. Sipas Belegut, kronikani osman Elvija Çelebiu, që ka vizituar vilajetet shqiptare në vitet 1660 -1670 dhe ka lënë shënime të vlefshme historike, duke folur për zejtarët e elbasanit shkruan ".në këtë qytet punohej çdo mjeshtëri, por qëndistarët dhe armëtarët punojnë mjeshtëri shumë të hollë dhe me elegancë." Në këtë kohë në Elbasan vendin e parë e zinte esnafi i tabakëve, dhe pas tyre vinte esnafi i argjendarëve. Sipas Belegut, "vetëm me përpunimin e arit e të argjendit në Elbasan ishin 100 familje që merreshin me këtë zeje. Objeketet e zbulurimit si unazat, varëset, gjerdanët e sidomos armët e zjarrit të montuara prej tyre e të zbuluruara me argjënd ishin bërë të famshme në të gjithë perandorinë osmane". Me anën e dispozitave (kanun-nameve) të statutit, rregulloheshin marrëdhëniet e shkëmbimit të prodhimeve të ndryshme, përcaktoheshin taksat, çmimet, peshat, masat. Udhëzohej tregëtia e jashtme, doganat, shitja e skllevërve, organizoheshin panairet lokale me mallrat e tyre, festat kolektive në vende piktoreske të quajtura ndryshe teferriçe, si në Bushek, Manastiri i Shën Joan Vladimirit, Kroi i Kalit, etj. Esnafet unanimisht vendosnin çmime fikse për mallrat e tyre në çdo vend ku tregëtonin dhe caktonin me marrëveshje zonat e tregëtisë dhe vendet e shitjes. Kudo mbizotëronte ndershmëria. Termi, i përdorur gjer në Selanik, "Elbasan Pazar" nënkuptonte çmim të pandryshuar. Brenda vendit esnafët luajtën një rol të rëndësishëm në çështjet organizative, ekonomike, politike, shoqërore, ushtarake të vendit. Ata kishin shumë ndikim në pushtetin vendor të kontrolluar nga pushtuesit osmanë. Nuk kishte ngjarje në qytet pa pjesëmarrjen e shtresave të esnafëve të cilët ishin bërë tashmë një forcë e rëndësishme shoqërore në jetën e përditshme të qytetit", shton historiani Belegu. Ai thekson se "në Elbasan, si me një forcë magjike, një shenjë e thjeshtë, rrahja e shkopit të qahajait të Tabakëve tri herë në kalldrëm të Bezistanit (sheshi në mes të pazarit) shkaktonte mbylljen e dyqaneve brenda disa minutave dhe gadishmërinë luftarake e të gjithë zejtarëve të qytetit". Interesante është se në kuadrin e shërbimit ushtarak për Perandorinë Osmane, Elbasani, sipas raportit të peshkopit Nikollë Mekajshi (1609), konsiderohej si kryeqendra e Shqipërisë së Mesme, dhe njëkohësisht si një qytet me popullsi të madhe dhe me lagje të shumta. Sipas Elvija Çelebiut, "(në Elbasan) këtu priteshin edhe monedha". Në ditët e sotme në Muzeun Etnografik të Elbasanit ruhen rreth 80 lloje zejesh të punuara nga Esnafët, të cilat pëlqehen mjaft nga vizitorët./ch/
KOMENTE