English

Fier: Ushtria Rinis Aksionin Për Largimin E Bunkerëve Nga Deti

FIER, 26 qeshor /ATSH-Rr.Isufaj/ - Ministria e Mbrojtjes rifilloi të premten të largojë nga bregdeti i Semanit ato që dikur propagandoheshin, por që kurrë s'u testuan, si garanci për të mbrojtur socializmin nga ndonjë sulm i mundshëm i botës kapitaliste: bunkerët. Nga krenari e vendit, gjatë regjimit komunist, bunkerët janë kthyer në shëmti për syrin e turistëve, në një Shqipëri të hapur për botën. "Mirë ishte të ishin hequr pa filluar sezoni turistik, gjithsesi, kurrë nuk është vonë për të bërë një punë të mirë. Vetëm të hiqen, të mos lihen siç u lanë vjet, që i mori sërish deti," tha I.Çela, pushues. Aksioni për largimin e bunkerëve nisi verën e kaluar, gjatë sezonit të plazhit. Efektivat e Ministrisë Mbrojtjes larguan rreth 30 bunkerë nga vija e ujit, duke i vendosur në zonën e rërës, për t'i trasportuar për diku tjetër gjatë një faze të dytë. "Vitin e kaluar bunkerët u vendosën në zonën e rërës në pritje të grumbullimit të tyre në një pikë. Si rezultat i futjes së detit në brezin e tokës, bunkerët tani janë zhytur përsëri në ujë, në një distancë rreth 4 m, duke vështirësuar operacionin dhe rritur koston. Gjithsesi do të vazhdojë puna për organizimin e mjeteve dhe njerëzve për grumbullimin dhe largimin e tyre. Komuna ka caktuar vendin për grumbullimin e bunkierëve," tha kryetari i komunës Topojë, Sotir Zarka. Sipas kryekomunarit, aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha qendrave të zjarrit dhe grumbullimin e tyre larg zonës së plazhit, në një territor të caktuar nga komuna. "Prania e bunkerëve në zonën e plazhit ka ulur numrin e pushuesve dhe ka dëmtuar turizmin, pasi bunkerët jo rrallë herë janë bërë shkak për humbjes e jetës së pushuesve," tha Zarka. Drejtuesit e operacionit për largimin e qëndrave të zjarrit thanë se janë rreth 30 bunkerë që fillimisht do të hiqen nga vija e ujit dhe më pas do të trasportohen drejt pikës së grumbullimit. Sipas tyre, nuk ka një afat kohor të caktuar, aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjithë bunkerëve dhe pastrimin e plotë të plazhit. Historia e montimit Fobia e sistemit komunist, që shikonte vetëm armiq të brendshëm ose të jashtëm, e mbushi zonën e Semanit me qendra zjarri, e ktheu në një llogore lufte, duke i shndërruar lekët e shqiptarëve të varfër në kërpudha të betonta. "Kur qindra familje ishin të pastreha. Kur qindra familje të tjera banonin në hangare, kasolle, apo 10 veta në një dhomë, qeveria komuniste vendosi të bunkerizonte zonën fushore dhe atë bregdetare," tha një ish- oficer, i cili s'pranoi të identifikohet. "Lufta imagjinare për përballimin e sulmeve nga imperialisto-revizionistët, e shndërruan bregdetin nga një mrekulli turistike, në një qytezë të kërpudhave të betonta," vijoi ish-oficeri. "Aksioni për betonizimin e terrenit të zbuluar dhe zonës së bregdetit filloi rreth vitit 1975. Mijëra vendstrehime dhe qendra zjarri u montuan duke krijuar një kordon mbrojtje të betontë," tha ish- ushtaraku. Efektet e qendrave të zjarrit Pasojat e bunkerëve i vuajti fermeri, toka e të cilit u shkatërrua. I vuajti turizmi. I vuajtën dhe viktimat që kanë humbur jetën në detin e Semanit, si rezultat i gropave, bunkierëve dhe rrjetave të telave me gjemba të mbuluara nga uji. "Largimi i qendrave të zjarrit do të rrisë shumë numrin e plazhistëve. Shumë pushues nuk vijnë në plazhin e Semanit për arsye sigurie, pasi çdo vit ka pasur viktima. Pushuesit zhyteshin në ujë dhe ngecnin nëpër betonat e qendrave të zjarrit," tha N.Llupi, banor i zonës./ch/
KOMENTE