Tiranë, 26 Qershor NOA – Mjetet e rënda dhe punonjësit e Inspektoriatit Ndërtimor gjatë ditës së sotme do të nisin aksionin për pastrimin e autostradës së kombit nga Miloti në Morinë.
Lajmi konfirmohet prej burimeve zyrtare të këtij institucioni për agjencinë e Lajmeve NOA duke sqaruar se qëllimi kryesor i punës së Inspektoriatit Ndërtimor në këtë aksion është që të pastrojë anët e autostradës nga ndërtimet pa leje që janë të madhësive të ndryshme.
“Mjetet pastruese dhe stafi i ndërtimorëve, në këtë fazë të parë të pastrimit të aksit të kombit do të ndërhyjnë në kalimet dhe ndërtimet e paligjshme nga Rrësheni deri në Kalimash. Më pas, në javët e ardhshme, aksioni pastrues do të vijojë deri në Morinë, si dhe do të shtrihet në të gjitha akset rrugore të vendit”, citojnë ato.
Duke shtuar se në aksin Rrëshen-Kalimash, ndërtimet janë tërësisht të jashtëligjshme, dhe prej disa ditësh personat janë informuar për shkeljet që kanë kryer, por veç ndërtimeve, në këtë segment rrugor ka dhe kalesa e hyrje të jashtëligjshme në autostradë.
“Gjatë ditës së sotme, mjetet pastruese, në bazë dhe të vendimeve që janë lëshuar do të ndërhyjnë në 22 ndërtime dhe kalesa të jashtëligjshme. Ndërsa brenda pak javësh, Inspektoriati Ndërtimor synon të disiplinojë dhe rikthejë standardet europiane të hyrjeve, kalesave dhe ndërtimeve në autostrada e akse rrugore kombëtare. Kalesat e paligjshme ulin dukshëm sigurinë në këtë aks rrugor, gjithashtu shkelin standardet e sigurisë në rrugë”, citojnë burime të Inspektoriatit Ndërtimor.
Në fund ky institucion, deklaron se “është i vendosur të ndërhyjë mbi të gjitha ndërtimet pa leje që shkatërron dhe krijon probleme mbi pasuritë publike apo private.
“Gjatë vitit 2009, në Shqipëri kanë humbur jetën 378 persona që u përfshinë në 1 mijë e 456 aksidente rrugore. Alarmant ka qenë dhe numri i personave të plagosur në aksidentet rrugore. Shqipëria, prej vitesh renditet si një ndër shtetet me numrin më të madh të aksidenteve rrugore dhe viktimave për frymë”, citon Inspektoriati Ndërtimor.
n.e/NOA