Kosove - Lideret E Rajonit Fillojne Takimin Ne Prevalle Te Prizrenit
PREVALLË (PRIZREN), 26 Qershor /ATSH-B.Jashari/. - Në Prevallë të Prizrenit fillloi sot takimi dyditor i liderëve të rajonit, i pari samit i këtij niveli që mbahet në Kosovë, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, mikprites, Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, i cili mbërriti sot në mëngjes, Presidentit të Maqedonisë, Gjorgji Ivanov dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, të cilët kanë mbërritur dje pasdite.
Gjatë paraditës po mbahen takime bilaterale, ndërsa pasdite do mbahet një takim i përbashkët.
"Është një vazhdimësi e takimeve të mira që kemi pasur vitin e kaluar në Vlorë e pastaj në Ohër", ka deklaruar presidenti Sejdiu.
"Qëllimi kryesor është që të zhvillojmë bashkëpunimet ndërshtetërore, duke dëshmuar kapacitetet tona të fqinjësisë së mirë dhe vlerat e bashkëpunimit të thellë ndërshtetëror, që do të jenë në shërbim të qytetarëve të vendeve tona", tha Sejdiu.
"Për ne është me rëndësi se fryma e përgjithshme e takimit do të jetë si të shpejtojmë hapat tanë drejt proceseve të mëtejshme integruese të rajonit", shtoi ai.
Sipas axhendës së njoftuar nga Presidenca e Kosovës, President i Republikës së Malit të Zi, Vujanoviç, largohet nga Prevalla sot pasdite pas konferencës së përbashkët për shtyp, ndërsa të dielën Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Topi dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Ivanov. /a.ke/