English

Krijohet Bordi Ekonomik në PS, Rama: Do hetojë mashtrimet e qeverisë me ekonominë

Tiranë, 26 Qershor NOA – Hetimi i treguesve të vërtetë ekonomikë dhe jo atyre që trumbetohen nga qeveria, si të lartë dhe optimistë, do të jenë në qendër të punës së organizmit më të ri të ngritur në selinë rozë, i quajtur Bordi Ekonomik.

Këtë fakt e ka komunikuar vetë kryesocialisti Edi Rama gjatë një konference të posaçme, duke pohuar se ky bord do të hetojë treguesit realë ekonomikë dhe ecurinë e vërtetë të rritjes ekonomike në vend dhe jo asaj, që sipas tij, paraqitet nga qeveria.

“Shifrat zyrtare janë pjesë e një mashtrimi publik, çështje shumë e mprehtë me të cilën ne do të merremi gjatë ditëve në vijim”, deklaroi në fjalën e tij Rama.

Sipas tij, përdorimi i buxhetit në mënyrë të dyshimtë dhe aspak transparente nga ana e institucioneve qeveritare lë të kuptosh se jemi në krizë, megjithëse kjo nuk pranohet aspak prej drejtuesve të tyre.

“Gjendja e sipërmarrjes shumë e vështirë, me pengesa të jashtëzakonshme”, vuri në dukje më tej kreu i Partisë Socialiste.

E pikërisht, “për të studiuar edhe rrethin vicioz në të cilin është futur realisht ekonomia e vendit”, ai tha se është ngritur edhe Bordi Ekonomik në PS.

“Situata ekonomike është mjaft shqetësuese, me tregues fiskalë mjaft emergjentë. Ndërsa tkurrja e rritjes ekonomike është një indikativ mjaft i dukshëm”, tha Rama në fund të fjalës së tij, duke argumentuar në këtë mënyrë rëndësinë e këtij procesi.

n.e/NOA

KOMENTE