English

Leku Zhvleresohet Ndaj Valutave

TIRANE, 26 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Kjo jave nuk ka qenë e mbarë për monedhën kombëtare. Leku shqiptar është zhvlerësuar më tej kundrejt valutave të forta. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, dollari shkëmbehet me 110.5 lekë, ndërsa euro ruan kuotën e 136.7 lekëve. Zhvlerësimit i monedhës kombëtare vijon tashmë prej shumë muajsh dhe është pasojë kryesisht e mungesës së valutës në treg. Rënia e kostos së monedhës kombëtare rëndon klientët e bankave që kanë marrë kredi në euro e dollare dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi ata do të paguajnë më shumë, pasi normës së interesit i shtohet edhe kosto e transaksionit. Pasojat e zhvlerësimit të lekut do të ndihen edhe në tregti, pasi pritet rritje e importeve dhe rrjedhimisht, edhe e çmimeve në treg. Ne nje studim te saj, Banka e Shqipërisë konstaton se kursi real i këmbimit gjatë këtij viti nuk duket të jetë shmangur në mënyrë të konsiderueshme nga ekuilibri afatmesëm. Burime nga BSH-ja bëjnë të ditur se qëllimi i këtij studimi ka të bëjë me identifikimin e faktorëve përcaktues në zhvillimet e kursit të këmbimit, të vlerësojë një kurs ekuilibër dhe të evidentoje nëse kursi aktual i këmbimit është i zhvendosur ndaj atij ekuilibër. Sipas BSH-së, përcaktuesit e kursit ekuilibër të konsideruar në këtë studim përfshijnë diferencën e produktivitetit, mjetet e huaja neto, shpenzimet e qeverisë, diferencën e normave të interesit, shkallën e hapjes së ekonomisë, remitancat dhe kushtet e tregtisë. /a.ke/
KOMENTE