Libra Të Rinj Në Libraritë E Tiranës
TIRANË, 26 Qershor /ATSH- Suada Daci/.- Stendat e librarive të kryeqytetit janë pasuruar këtë javë me një numër librash të rinj nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Disa prej tyre janë:
"Njeriu është një fazan i madh mbi toke", është romani më i ri i shkrimatres rumuno- gjermane, Herta Muller. Romanet e Muller flasin për tiraninë, frikën, tradhëtinë, ndrydhjen e poshtërimin, vetëm se ky dimension politik ngrihet përmes pasionit dhe ambicies poetike.
Vjen nga shtëpia Botuese "Aiis" dhe kushton 1200 lekë.
"Dublinasit" është libri me tregime i autorit James Joyce. Ky libër përmban 15 tregime, të cilat zënë fill me një rrëfim për ditët e fundit të një plaku me paralizë, por paraliza këtu sikur mëton të shënjojë një vend, një gjendje të përgjithshme, një shoqëri, shkurt: ndryshkun e një shoqërie.
Vjen nga shtëpia botuese "Zenit" dhe kushton 1000 lekë
"Rebelimi i Robotit" nga autori David Icke. Vlera kryesore e këtij libri është është zbulimi i të fshehtave historike apo manipulimeve të mëdha historike.
Shtëpia botuese është "Helga's Secrets" dhe kushton 1200 lekë.
"Historia e Serbëve" është libri historik me dy vëllime i autorit gjerman Kostandin Jirecek. Autori Jirecek ka studiuar gjysmën e dytë të shek XIX dhe radhitet ndër studiuesit e parë për Ballkanin e veçanërisht për serbët e bullgarët.
Vjen nga shtëpia botuese "55" dhe kushton 1500 lekë. /a.ke/