Partia Socialiste Krijon Bordin Ekonomik
- Mblidhet Këshilli Ekonomik Kombëtar i PS-së -
TIRANË, 26 Qershor/ATSH/.- Partia Socialiste krijoi sot Bordin Ekonomik të saj, i cili do të funksionojë si një strukturë permanente për të ndjekur në vijimësi gjendjen ekonomike të vendit.
Gjatë një tryeze në Hotel Sheraton, PS mblodhi ekspertë ekonomikë të saj, të cilët diskutuan dhe bënë një pasqyrë të ekonomisë në vend, duke paraqitur alternativat rreth saj.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, në një përshkrim të shkurtër të ekonomisë së vendit tha se ajo paraqitet me tregues fiskalë shumë shqetësues, duke filluar nga të ardhurat tatimore që janë 10 % më të ulëta se parashikimi, tek rënia me 6% nga parashikimi i TVSH-së, që është dhe indikatori më real i tkurrjes ekonomike, e deri tek rënia me 9% e të ardhurave nga tatim fitimi apo rënia me 12% e të ardhurave personale.
Rama akuzoi qeverinë se po ndjek një politikë ekonomike shkatërruese, me një deficit buxhetor shqetësues dhe me një praktikë të rishikimit të buxhetit në mënyrë jotransparente.
Sipas tij këto janë problemet e çdo familje shqiptare, që nuk jeton në oborrin e pushtetit dhe nuk përfiton asgjë në rrugë të paligjshme.
Kryetari i Këshillit Ekonomik Kombëtar të PS-së, Shkëlqim Cani trajtoi çështjet e politikës monetare në kushtet e ekonomisë në krizë, si dhe mungesën e transparencës së shifrave dhe të dhënave zyrtare.
|"Ekonomia shqiptare po vuan sot paaftësinë e qeverisë. Në sistemin bankar kreditimi ka rënë tre herë,ndërsa janë rritur kreditë e parregullta", tha Cani. /a.gj/