English

PD: Qëndrimi i Ramës kundër Joseph Daul, si ai kundër heqjes së vizave

Tiranë, 26 Qershor, NOA – Partia Demokratike ka denoncuar sot publikisht kritikat e hedhura në disa media ndaj përfaqësuesit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, duke e cilësuar këtë si një qëndrim anti-kombëtar si ndaj heqjes së vizave.

“Edvin Rama dhe falangat e tij mercenarë në mediat që ai kontrollin, ka ndërmarrë 2-3 ditët e fundit sulmet më të egra, më të ulëta dhe të denja vetëm për moralin e tij, ndaj kryetarit të grupit më të madh parlamentar të Parlamentit Evropian, përfaqësuesit të Partive Popullore Evropiane që qeveris sot 2/3 e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli.

Sipas saj, ky sulm është marrë enkas, pasi Daul është njeriu që u solli shqiptarëve lajmin për votimin e Parlamentit Evropian për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë.

“Gjuha e përdorur nga Rama dhe mercenarët e tij në media, dëshmon se Edvin Kristaq Rama është sot më i zi se i ati i tij kur firmoste varjen e poetit Avzi Nela në sheshin qendror të Kukësit”, tha ndër të tjera ajo.

Duke e cilësuar më pas gjuhën e përdorur nga njerëzit e Ramës si “prej halabakësh”, të shoqëruar me urrejtje patologjike, që dëshmon më së miri se për atë dhe bllokmenët e rinj, çdo vendim që merret për të ndihmuar Shqipërinë, i tmerron ata dhe zgjon në shpirtin e tyre demonët e etërve të tyre mizorë.

“Partia Demokratike duke denoncuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e ulët të Ramës dhe bllokmenëve të rinj pas dështimit të tyre për të bllokuar votën e Parlamentit Evropian për vizat e Shqipërisë, u bën thirrje qytetarëve shqiptarë t’i dënojnë këto qëndrime anti-kombëtare dhe anti-shqiptare të kësaj klike që urren me të gjithë qënien e saj Shqipërinë, shqiptarët dhe progresin e tyre drejt Evropës”, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli.

n.e/NOA

KOMENTE