English

Poni: Rama deformoi të dhënat për adresat e qytetarëve të Tiranës

Tiranë, 26 qershor, NOA – Ministria e Brendshme e ka cilësuar si një dështim dhe paaftësi deklaratën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për sistemin e adresave në kryeqytet.

Në një konferencë për mediat, zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni u shpreh se njësitë e pushtetit vendor janë të vonuara në sjelljen e informacionit për adresat. “Dje z. Rama u përpoq të mbulonte dështimin dhe paaftësinë për të implementuar sistemin e adresave me anë të një shfaqjeje butaforike, por të rrezikshme për qytetarët e Tiranës dhe projektin për sistemin e adresave”, tha Poni.

Duke u ndalur në publikimin e Bashkisë së Tiranës, Poni tha se materialit i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa që kanë korrelacion teknik me to.

“Z. Rama nga ana tjetër në mungese të plotë të transparencës dhe respektit ndaj shtetit ligjor ka penguar qëllimisht transmetimin e këtyre të dhënave në Ministrinë e Brendshme për t’u bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Adresave”, u shpreh Poni.

Ai tha se Bashkia e Tiranës duhet të kishte përgatitur informacion të detajuar në sistemin GIS lidhur me emërtimin e pjesëve publike të territorit. “Ajo që Rama u përpoq të trumbetonte si sukses dje, është një punë që duhet të kishte përfunduar në janar 2009, në mars 2009, në tetor 2009, por fatkeqësisht edhe sot që flasim informacioni nuk ështe i plotë dhe as në përputhje me standartet e Projektit të Sistemit të Adresave”, u shpreh Poni.

Zëvendëministri i Brendshëm ka theksuar se nga Bashkia e Tiranës është deformuar dhe projekti i Ministrisë së Brendshme.

“Në shkelje të hapur të ligjit dhe garancive kushtetuese për qytetarët shqiptarë Z. Rama ka deformuar në mënyrë të paturpshme dhe të rrezikshme për projektin formularin e hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme”, tha ai.

Poni shtoi se informacionet që kërkohen nga Bashkia; numri i celularit, punësimi, arsimi, profesioni, vendi nga vjen nuk janë fare kërkesa të Projektit dhe cenojnë hapur konfidencialitetin e të dhënave.

NOA

KOMENTE