Pr: Riformulim Të Kodit Zgjedhor Për Barazi Të Votës Kundrejt Mandatit
TIRANE, 26 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - "Partitë politike duhet të mblidhen sa më shpejt për riformulim të kodit elektoral, por ai duhet të respektojë rigorozisht disa nga kushtet dhe parimet themelore që janë të mishëruara në Kushtetutë", deklaroi në një intervistë për ATSH-në, nënkryetari i Partise Republikane, Arjan Madhi.
Duke shpjeguar pikat e platformës për ndryshim të ligjit zgjedhor të PR-së, përfaqësuesi i kësaj force politike thekson se "PR është e mendimit se sistemi aktual, proporcional rajonal, mund të mbetet i pandryshueshëm".
Por, sipas tij, "ky sistem duhet të garantojë proporcionalitetin e votës, në mënyrë që çdo deputet në parlament të ketë numër votash të barabarta me deputetin tjetër".
Madhi shprehet se ky nuk është faji i kodit aktual në sistem, por faji i kodit në nenin e shpërndarjes së mandateve.
"Sistemi mund të qëndrojë po ky që është, por duhen korrektuar dispozitat që shpërndajne mandatet, duke sjellë barazinë e votave përkundrejt një mandati", thekson Madhi.
Një tjetër cështje për të cilën PR propozn ndryshime në kodin zgjedhor është edhe votimi me lista të hapura. "Është e dukshme që opozita nuk ndjen asnjë lloj marredhënie me elektoratin e saj duke mos i shërbyer e kjo ndodh pasi asnjë deputet nuk e ndjen vetën të lidhur me votuesit, sepse mendon që është atribut i kryetarit që e vendosi në listën e parë", nënvizon Madhi.
Nënkryetari i PR-së deklaron se duhet diskutuar edhe çështja e pragut elektoral, për të cilën duhet vendosur mënyra sesi duhet të shpërndahen mandatet. "Nëse do vendosim një sistem proporcional me një prag mbi 3 përqind, do të ndodhë që një parti politike, e cila ka marrë 2.9 përqind të votave, që ëshë e barabartë më 4 mandate, nuk hyn në parlament për shkak të pragut", pohon Madhi.
Gjithashtu, PR, sipas tij, "propozon riformulim të saktë edhe të çështjes së administratës zgjedhore, të cilët nuk duhet të jenë përfaqësues të zgjedhur nga politika. "Komisioni të përbëhët jo më shumë se prej anëtarësh të cilët duhet të jenë përfaqësues të shërbimit civil ose nga shoqëria civile", tha ai.
Sipas tij, ndryshimet në kodin e ri elektoral duhet të përfshijne edhe mënyrën dhe formulimin e fletës së votimit. "Kjo sigurisht arrihet vetëm nëpërmjet përsosjes së shkallës së teknologjisë, ku një nga elementët do të ishte nxjerrja e zarfit me fletën e votimit nga një kuti pas leximit të shënjës së gishtërinjëve nëpërmjet një aparature të tillë", thekson Madhi.
Nënkryetari i PR-së shton se "ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe dialog, pasi kjo është një çështje sa politike po aq edhe ligjore e kushtetuese. Nuk mundemi më të kompromentojme rezultatin e zgjedhësve duke abuzuar me dispozitat e kodit zgjedhor", theksoi Arjan Madhi. /a.ke/