English

Rozi Kostani: Më e vërtetë se e vërteta

Tiranë, 26 qershor, NOA, Milena Selimi - Duket se ia ka dalë regjisorja Rozi Kostani, që këtë fundjavë ka vendosur në skenë premierën “Më e vërtetë se e vërteta”.

Premiera shfaqet për gjithë fundjavën në teatrin “Metropol” dhe është plot për tre net me radhë në sallën “Çehov” me regji të saj.

Komedia e shkruar nga autori francez Martial Courcier, lëvrues i mirënjohur i komedisë jo vetëm në Francë, por edhe në Belgjikë, Itali, Spanjë, etj, na tregon një botë tjetër.

Ajo na vendos përpara situatave që duken shumë intriguese të një roboti dhe dy qenieve humane-meshkuj që tentojnë të prekin dashurinë. Ajo ka bashkëpunuar në këtë rast me tre aktorët Neritan Liçaj, Luli Bitri dhe Lulzim Zeqja.

Me këtë komedi Rozi Kostani tenton të afrojë publikun me një komedi sa interesante, po aq edhe intriguese. Ku shkojnë kufijtë e dashurisë njerëzore? “A njeh kjo ndjenjë limitet e ndjesive, apo bota e sotme e shpejtë dhe dinamike e ka kthyer në shtresëzim të ngurtë të paprekshme dhe të pakuptueshme?

Dilema e përjetshme e dashurisë dhe moskuptimit në çift vjen në një strukturë të mirë organizuar nga autori, i cili gjen një personazh të ftohtë-robotin Kloe, për të zgjidhur dilemat dhe pikëpyetjet”, të gjitha këto sipas kritikës, ajo ka mundur t’i përballë me sukses.

m.s/NOA

KOMENTE