English

Ruh: Pervojat Ekonomike Me Mbeshtetjen E Gtz, Modelet E Se Ardhmes

- Flet per ATSH-në nje intervistë eskluzive, Erik Ruh, Drejtor i programeve ekonomike ne GTZ- TIRANE, 26 Qershor, ATSH, Nini Mano/- GTZ, Programi për Bashkëpunim Teknik Gjerman, i pranishëm prej vitit 1988 në Shqipëri, pasi ka mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë duke krijuar modele të suksesshme me impakt në fusha të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, synon përhapjen e tyre në të gjithë vendin. Drejtori i programit Ekonomik pranë GTZ-së në Tiranë, Erik Ruh në një intervistë eskluzive për ATSH-në tregon mbi zhvillimin e programeve në Shqipëri, ku fushat kryesore këto dy vjet, mbeten ekonomia dhe arsimi profesional, si dy drejtime me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqënies sociale. Optimist për të ardhmen e Shqipërisë, Erik Ruh shprehet se një vend, me popullsi të re, moshë mesatare 31 vjeç, me uri të madhe për dije dhe arsim dhe me njerëz me vullnet për të ecur përpara dhe bashkëpunues, gjithçka mund të arrihet. Që nga viti 1988 kur nisi bashkëpunimi ekonomik Shqipëri- Gjermani, cilat vlerësoni si nevojat kryesore që ka vendi ynë për këtë ndihmë? GTZ është e pranishme që nga viti1988 me projekte zhvillimi në Shqipëri dhe vetëm volumi i financimit për bashkëpunimin ekonomik deri tani, arrin 100 milionë euro. Të gjitha programet që zbaton GTZ, janë sipas kërkesave dhe nevojave që ka qeveria shqiptare në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve. Tashmë jemi duke u fokusuar në tre sektorë kyc, që sipas bisedimeve nderqeveritare, janë rakorduar me programin e qeverisë dhe strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim që ka vendi juaj. Sektori i parë kyç është ai i ujrave, ku ndihma gjermane synon garantimin në furnizimin me ujë të pijshëm me standarte, të cilat sot mungojnë për fat të keq, rritjen e efiçencës së furnizimit dhe cilësisë së ujit, përmirësimi i kanalizimeve të ujrave të zeza si dhe një sistem sa më efiçent në mirëmenaxhimin e mbetjeve urbane. Sektori i dytë i bashkëpunimit është energjia, ku synojmë përmirësimin e efiçençës së energjisë dhe linjave të transmetimit. Pikë mjaft e rendesishme në këtë sektor mbeten burimet e rinovueshme të energjisë, pasi vendi është mjaft i pasur me burime ujore, por vetem 30% e tyre shfrytëzohen, ndaj synojmë t'a mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim. Ndihma teknike në këtë sektor përfshin dhe Qendrën e Licencave për energjinë brenda QKR-së, e cila funksionon me sukses falë edhe bashkëpunimit me GTZ-në dhe tani feston 1-vjetorin e hapjes së saj. Sektori i tretë kyç dhe me shumë rëndësi mbetet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, ku janë të përfshirë të dy aktorët e bashkëpunimit gjerman, banka KfW në aspektin financiar dhe GTZ përmes ndihmës në bashkëpunimin teknik. Banka gjermane KfW, krahas financimeve në sektorët e ndryshëm, punon edhe për lehtësimin e aksesit ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme (SME) për marrjen e kredive. Ndërsa GTZ fokusohet në dy programe të mëdha për zhvillimin ekonomik. I pari ka në qendër nxitjen e punësimit, që fokusohet në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme me tre sektorë të përzgjedhur, dhënien e asistencës për ngritjen dhe forcimin e institucioneve publike për mbështetjen e SME-ve dhe zhvillimin e shërbimeve karshi biznesit. Programi i dytë i GTZ po zhvillohet në arsimin profesional, i përzgjedhur nga vetë nevoja për reformim në nivelin makro, me ndikim në zhvillimin e SME-ve në Shqipëri, ku po bashkëpunohet me ministritë e Arsimit dhe Punës e Cështjeve Sociale. Ky program është përqëndruar në arsimin universitar, si në Akademinë Profesionale në Durrës, por dhe në zhvillimin e arsimit të mesëm profesional në veri, konkretisht në Kukës. Ju veçoni ndihmën teknike të GTZ-së për bizneset e vogla e të mesme dhe arsimin profesional. Përse kjo përzgjedhje dhe c'fare impaktesh priten? Përzgjedhja e sektorëve bëhet përmes bisedimeve periodike që zhvillohen mes dy qeverive. Sivjet, në 18 maj përfunduan bisedimet dypalëshe qeveritare Shqipëri-Gjermani, që rezultuan shumë të frytshme, ku u rakorduan tre sektorët për bashkëpunim, një prej të cilëve është arsimi profesional, një fushë ku GTZ ka përvojë, dije dhe ekspertizë të fortë. Volumi i bashkëpunimit financiar ndërqeveritar për vitet 2010-2011 arrin në 85 milionë euro, ku 78 milionë euro janë ndihmë financiare përmes bankës KfW për sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe rreth 8 milionë euro për programet e GTZ për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e punësimit, që në fakt, janë programe me histori të ndryshme. Kështu programi për zhvillim ekonomik i GTZ-së ka nisur në vitin 2007, programi tjetër për arsimin profesional është i ri dhe ka nisur zyrtarisht në 1 janar 2010. Ç'farë synojmë të arrijmë? Për ne është shumë e rëndëshme rritja e punësimit, sepse kështu përmirësohet dhe situata ekonomike e familjeve shqiptare, pasi dihet që këtu papunësia është dy-shifrore. Përmes programeve tona për zhvillim ekonomik, synojmë përmirësimin e klimës së biznesit, që lidhet direkt edhe me rritjen e punësimit dhe si aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm, edhe në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare. Por edhe programi për arsimi profesional, synon të vërë në dispozicion të biznesit dhe ekonomisë shqiptare fuqi të kualifikuar punëtore sipas nevojave të saj. Pra, janë dy sektorë të gërshetuar, që si qëllim final, synojnë nxitjen eknomike të qëndrueshme. Përse jemi fokusuar tek biznesi i vogël dhe i mesëm? Në strukturën e biznesit në Shqipëri konstatohet se biznesi i vogël dhe i mesëm zë peshën kryesore me 80% të totalit, që tregojnë shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Por po 80% e të punësuarve janë në këto biznese, ku gati 80% e tyre kanë më pak se 5 punonjës. Bizneset e mëdha nuk kanë nevojë për mbështetje, ndërsa të voglat, po. Ato kanë nevojë të grupohen në shoqata, por dhe të kenë mundësi që të marrin shërbime në Dhomat e Tregtisë. Por këto të fundit ndërsa punojnë kryesisht me bizneset e mëdha, gjenden në situatë jo të favorshme, pasi vuajnë për anëtarësim. Edhe më e madhja prej tyre, Dhoma e Tregtisë e Tiranës nuk ka më shumë se 72 anëtarë. Vetë bizneset e vogla dhe të mesme nuk ofrohen pranë këtyre Dhomave, pasi nuk marrin shërbime. Pra, biznesi i vogël dhe i mesëm nuk është i organizuar në struktura të tilla ndihmuese, ndërsa nevojat e tyre për shumë shërbime janë të mëdha edhe në këtë aspekt. Ndaj mendojmë se ndihma e GTZ duhet fokusuar tek fuqizimi i tyre./n.m/(vijon)
KOMENTE