English

Shqipëria, Mbështetëse E Fuqishme Në Përpjekjet E Kosovës Për Integrim Në Strukturat Euro-Atlantike

-Presidenti Topi takohet me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu - TIRANE, 26 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksoi sot, gjatë takimit në Prizren me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, në kuadër të takimit të katër Presidentëve të rajonit, se Shqipëria do të jetë një mbështetëse e fuqishme edhe në të ardhmen në përpjekjet e Kosovës për integrim në familjen evropiane dhe atë euroatlantike. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi i shprehu homologut kosovar mirënjohjen dhe vlerësimet për organizimin e takimit të Presidentëve të katër vendeve fqinjë të rajonit në qytetin e Prizrenit, si një kontribut i jashtëzakonshëm për imazhin e vendeve të rajonit ballkanik si bashkëpunuese, bashkëvepruese dhe në marrëdhënie të qëndrueshme e progresive të fqinjësisë së mirë, në shërbim të interesave të ndërsjellë e në përmbushje të ëndrrës së përbashkët për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se Kosova do të vazhdojë të jetë e suksesshme, pas krijimit të një shteti të ri demokratik e shumë-etnik, që të ndërtojë e të konsolidojë institucionet e veta të pavarura kushtetuese, të cilat do të mbrojnë ligjin dhe interesin e të gjithë banorëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike, të zhvillojë ekonominë e saj, të rrisë mirëqenien e qytetarëve të saj e të përmbushë reformat e rëndësishme që do përmbushin aspiratën e popullit kosovar për integrimin në strukturat euroatlantike. "Në këtë rrugëtim të vështirë, Shqipëria do të jetë një mbështetëse e fuqishme edhe në të ardhmen në përpjekjet e Kosovës për integrim në familjen evropiane dhe atë euroatlantike, duke ndarë me të edhe përvojën tonë të vlefshme integruese", u shpreh Presidenti Topi. Gjithashtu, Kreu i shtetit vlerësoi pjekurinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, me të cilat është përballuar qysh nga dita e shpalljes së pavarësisë, ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare për sa u përket njohjeve nga gjashtëdhjetë e nëntë shtete të botës. Në këtë takim, Presidenti Topi ritheksoi se diplomacia shqiptare do të mbështesë plotësisht dhe fuqishëm njohjen e shtetit të ri të Kosovës sa më shpejt dhe nga shtete të tjera të botës. Nga ana e tij, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u pajtua me homologun e tij shqiptar përsa i përket rëndësisë së madhe të takimit të Prizrenit në shërbimin të qëndrueshmërisë së Ballkanit dhe forcimit të saj të mëtejshëm, duke theksuar se "me takimin e organizuar një vit më parë në Vlorë, u shënua nisja e një procesi të madh bashkëpunimi rajonal". Të dy presidentët ndanë të njëjtën pikëpamje se duhen shtuar përpjekjet dhe angazhimet e bashkërenduara për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, duke theksuar ndërkohë se duhet punuar më shumë në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes së shtetit të ri të Kosovës në sa më shumë nisma dhe takime ndërkombëtare./s.s./
KOMENTE