Stina E Verës-Dermatologët: Kujdes Nga Sëmundjet E Lëkurës Dhe Ethet E Diellit
TIRANË, 26 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Stina e verës, me temperatura të larta e frekuentimin e shpeshtë të plazhit, sjell dhe këshillat e mjekëve dermatologë për të gjithë qytetarët për të bërë kujdes gjatë ekspozimit në diell, në veçanti nga djegiet e ndryshme.
Sipas mjekëve dermatologëve, intervali më i rrezikshëm që njerëzit nuk duhet të ekspozohen në diell është nga ora 11:00-14:00 të drekës, pasi qëndrimi në diell në orët e pikut, krijon djegie të lëkurës, që manifestohen me simptoma të ndryshmet në organizëm. "Në disa raste pas kthimit nga plazhi, njerëzit ndjejnë ethe, që quhen 'ethet e diellit'", pohojnë dermatologët.
Ata këshillojnë që ekspozimi në diell të bëhet gradualisht, ndërsa përdorimi i kremrave mbrojtës për mbrojtjen nga rrezet UV-a dhe UV-b sipas fototipit të lëkurës dhe intensitetit te rezeve ultraviolet, është i domosdoshëm. Kremrat mbrojtëse duhen aplikuar 15 -20 minuta para daljes në diell, pas larjes, fshirjes me peshqir dhe djersitjes.
Krahas djegieve në lëkurë, të pranishme në sezonin e verës janë infeksionet e ndryshme, kryesisht mukotike dhe ato me origjinë nga bakteri i stafilokokut. Transmetuesit kryesorë të këtyre sëmundjeve të lëkurës janë mushkonjat dhe mizat, ndaj mjekët rekomandojnë shumë kujdes ndaj tyre, pasi mund të sjellin çrregullime të karaktereve të ndryshme në organizëm. /a.ke/