Topalli: Apel Për Një Shoqëri Të Çliruar Nga Droga
- Në ditën botërore kundër drogës, Kryetarja Topalli viziton Komunitetin "Emanuel', një qendër sociale riaftësuese në Tiranë -
TIRANË, 26 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri thirrje sot, në ditën botërore kundër drogës, që të gjithë të punojnë për një shoqëri të çliruar nga kthetrat e drogës.
Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, Kryetarja Topalli vizitoi sot Komunitetin "Emanuel", një qendër sociale riaftësuese në Tiranë, ku u takua me stafin e qendrës dhe bisedoi me të rinjtë që kanë pasur një varësi nga droga dhe tani përmes sportit, punës, pikturës dhe artit, arrijnë t'i rikthehen jetës normale.
Gjatë kësaj vizite, Kryetarja Topalli lançoi nismën për ngritjen e një qendre shtetërore për riaftësimin e të rinjve, përdorues të drogës.
Duke parë nga afër sallat e sportit, të punimeve të drurit, punimeve artistike dhe të akomodimit, Kryetarja e Kuvendit u ndal veçanërisht në sallën e artit dhe pikturës, duke thënë se "këto punime janë gjeniale, shprehje e një bote të madhe, e betejës për një jetë që duhet të vazhdojë".
"Përdorimi i drogës nga të rinjtë krijon dhimbje individuale, dhimbje familjare dhe një problem shoqëror dhe social. Unë jam sot këtu për të dhënë një mesazh për parandalimin e këtij fenomeni. Ne duhet të jemi një shoqëri pa drogë, të rinjtë tanë duhet të jenë të çliruar nga çdo lloj droge apo përdorimi të saj", tha Topalli.
Ajo vlerësoi kontributin e qendrës "Emanuel", që ndihmon në trajtimin dhe riaftësimin e të rinjve, përdorues të drogës dhe riintegrimin e tyre në shoqëri. Çlirimi nga droga, sipas saj, "kërkon në radhë të parë një bashkëpunim midis të gjitha strukturave të shtetit, shoqërisë civile, mësuesit, familjes, mjekut, shëndetësisë dhe policisë".
Presidentja e Komunitetit "Emanuel" në Shqipëri, Besa Roshi, vlerësoi se "vizita e Kryetares së Kuvendit është mjaft e rëndësishme për t'u treguar të rinjve përkujdesjen e shtetit ndaj tyre"./m.m//a.ke/