English

Topi: Shqipëria do vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Prizren, 26 Qershor, NOA – Në rrugëtimin e vështirë pas pavarësisë, Shqipëria do të jetë një mbështetëse e fuqishme edhe në të ardhmen në përpjekjet e Kosovës për integrim në familjen evropiane dhe atë euroatlantike, duke ndarë me të edhe përvojën tonë të vlefshme integruese.

Këtë fakt, presidenti i Republikës, Bamir Topi ia ka komunikuar homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu, në kuadër të takimit katërpalësh të presidentëve të vendeve fqinje që po mbahet në qytetin historik të Prizrenit, me të cilin zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore.

Në fillim të këtij takimi, Topi i shprehu Sejdiut mirënjohjen dhe vlerësimet për organizimin e takimit e presidentëve të katër vendeve fqinjë të rajonit në qytetin e Prizrenit.

Ky takim, i dyti i katër Presidentëve pas atij të Vlorës, është një kontribut i jashtëzakonshëm për imazhin e vendeve të rajonit ballkanik si bashkëpunuese, bashkëvepruese dhe në marrëdhënie të qëndrueshme e progresive të fqinjësisë së mirë, në shërbim të interesave të ndërsjellë e në përmbushje të ëndrrës së përbashkët për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se Kosova do të vazhdojë të jetë e suksesshme, pas krijimit të një shteti të ri demokratik e shumë-etnik, që të ndërtojë e të konsolidojë institucionet e veta të pavarura kushtetuese, të cilat do të mbrojnë ligjin dhe interesin e të gjithë banorëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike, të zhvillojë ekonominë e saj, të rrisë mirëqenien e qytetarëve të saj e të përmbushë reformat e rëndësishme që do përmbushin aspiratën e popullit kosovar për integrimin në strukturat euroatlantike.

Nga ana e tij, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u pajtua me homologun e tij shqiptar përsa i përket rëndësisë së madhe të takimit të Prizrenit në shërbimin të qëndrueshmërisë së Ballkanit dhe forcimit të saj të mëtejshëm, duke theksuar se me takimin e organizuar një vit më parë në Vlorë, u shënua nisja e një procesi të madh bashkëpunimi rajonal.

Të dy presidentët ndanë të njëjtën pikëpamje se duhen shtuar përpjekjet dhe angazhimet e bashkërenduara për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat duke ndarë dhe se duhet punuar më shumë në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes së shtetit të ri të Kosovës në sa më shumë nisma dhe takime ndërkombëtare.

n.e/NOA

KOMENTE