English

Topi-Vujanoviç: Intensifikim Të Marrëdhënieve Dhe Bashkëpunimit Dypalësh

NË, 26 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Intensifikimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ishte në qendër të takimit dypalësh midis Presidentit Bamir Topi dhe homologut malazez Filip Vujanoviç, bëri të ditur sot Zyra e Shtypit e Presidencës. Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe ai malazez Vujanoviç, shprehën vullnetin e tyre politik për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, duke vënë në dukje nevojën për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, fuqizimin e sistemit të komunikacionit, lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, për investime në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike në të dyja vendet etj. Topi theksoi angazhimin e plotë të Shqipërisë për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh mbi parimet e standardet, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian. "Serioziteti i një angazhimi të tillë buron nga politika konstruktive si dhe nga vizioni ynë i qartë për të kontribuar për një rajon të stabilizuar, të zhvilluar ekonomikisht, në prosperitet dhe harmoni mes popujsh", tha Presidenti. Ndërsa vlerësoi organizimin e takimit në Prizren me interes edhe për partnerët tanë strategjikë, Kryetari i Shtetit shqiptar nënvizoi domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, ç'ka do të ishte një kontribut real për të ardhmen e rajonit tonë në konsolidimin e një imazhi të ri të zhvillimit të paqtë e të qëndrueshëm si dhe të prosperitetit mbi bazën e vlerave humane e demokratike. Nga ana e tij, Presidenti Vujanoviç, duke vlerësuar takimin të rëndësishëm e të frytshëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, vuri në dukje se u duhet kushtuar më tepër rëndësi projekteve të përbashkëta në koordinim edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë pikë, të dy Presidentët vlerësuan lart marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira institucionale dypalëshe. Ata theksuan nevojën e tërheqjes së më shumë fondeve nga Bashkimi Evropian për përmirësimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta si, ai për Liqenin e Shkodrës dhe Lumit Buna, të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Namuna apo të tjera për zhvillimin e turizmit, ku një rol të madh do të luante edhe liberalizimi i regjimit të vizave për të gjithë qytetarët e rajonit. /a.ke/
KOMENTE