Tiranë, 26 Qershor, NOA – Italia heq detyrimin e përcaktimit të intinerarit të udhëtimit në territorin e saj, për transportuesit shqiptarë.
Lajmi është bërë publik nga ministria e Punëve Publike dhe Transportit, sipas të cilës, qeveria italiane ka vendosur ta shfuqizojë aktin ministerial që i detyronte kamionistët shqiptarë të mbanin të ashtuquajturën “foglio di prescrizione”, i cili nënkupton një dokument që përcakton itinerarin e udhëtimit në territorin italian.
Ky dokument përjashtonte mundësinë e marrjes së ngarkesave jashtë vendeve të destinacionit, ku në mjaft raste ka shkaktuar kthimin bosh apo me ngarkesë jo të plotë nëe Shqipëri.
Heqja e këtij dokumenti është e njëjtë me heqjen e barrierave jo-fizike të palës italiane në drejtim të kamionistëve shqiptar duke ia bërë udhëtimin më fleksibël, ul në mënyrë të ndjeshme numrin e kontrolleve ndaj tyre, nga policia italiane dhe koston e transportit. Këto elementë përbëjnë një hap të rëndësishëm në lehtësimin e kalimeve të kufirit për kamionistët shqiptarë.
Bëhet me dijeni se heqja e këtij dokumenti ka qenë edhe një kërkesë e shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave, ‘ANALTIR’.
Kështu, pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, qeveria italiane bën edhe një hap tjetër në drejtim të liberalizimit të procedurave në fushën e transportit rrugor.
“Ministria e Punëve Publike dhe Transportit shpreh kënaqësinë e saj për këtë masë të rëndësishme ndërmarrë nga qeveria italiane, e cila ishte një përgjigje e shpejtë e negociateve ndërmjet dy qeverive”, ka pohuar zëdhënësja e këtij dikasteri.
Duke shtuar se kjo dëshmon edhe njëherë për nivelin e lartë dhe vullnetin e plotë për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve dhe marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve tona.
n.e/NOA