Tropojë: Drejt Përfundimit Ndërtimi I Ujësjellësit
TROPOJË, 26 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Është në përfundim ndërtimi i ujësjellësit të ri që do të furnizojë me ujë të pijshëm konsumatorët e qytetit të Bajram Currit dhe fshatrat përreth tij.
"Punimet janë në përfundim. Ka përfunduar ndërtimi i depos kryesore e shtrimi i tubacioneve, ndërsa po punohet në procese dytësore që pritet të përfundojnë brenda korrikut", tha kryetari i bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetaj.
Ujësjellësi i ri është me rrjedhje të lirë nga vendburimi i Dunishës, rreth 20 kilometra larg qytetit të Bajram Çurrit. Punimet për ndërtimin e tij u kryen nga firma "Geci" me një fond prej 370 milionë lekë, akorduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Deri tani, qyteti i Bajram Çurrit është furnizuar me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i vjetër, i ndërtuar në mesin e viteve '60 e që ishte me rrjedhje mekanike, gjë që rriste edhe koston për konsumatorin, pasi ndërmarrja shpenzonte çdo muaj rreth 500 mijë leke për energji elektrike./ch/