English

Turizëm - Destinacionet E Reja: Plazhet E Shqipërisë

- Marrë nga gazeta italiane ''Corriere della Sera'' 26 qershor 2010 - - Nga Marisa Fumagalli - TIRANË, 26 qershor /ATSH/ - Nuk është një vend për ata që nuk kënaqen asnjëherë. Të interesohesh për Shqipërinë dhe të vendosësh për të kaluar pushimet atje do të thotë të kesh shpirtin e udhëtarit. Kurioz, përherë i gatshëm dhe joperfeksionist. Me këto të dhëna jemi në rregull. Shkoni dhe zbuloni një tokë që fsheh bukuri të rralla: një det të kulluar, plazhe të pastër, pyje, lumenj, male dhe zona arkeologjike. Të jemi të qartë, peizazhi urban që të rrethon zhvillohet pa rregulla, me një çimentizim të egër. Kjo përbën kufirin e zhvillimit të demokracive të reja dhe të dobëta. Harrojini edhe fshatrat turistikë (Club Med nuk është ende), por hotele të rehatshëm mund të gjenden. Një paralajmërim tjetër, pozitiv dhe jo me më pak rëndësi: sot Shqipëria është një vend i sigurt. Rreziku për të qenë viktimë e grabitjeve, sa për të marrë një shembull, nuk është më i madh se ai ndodh në Itali. Përkundrazi. Shqiptarët janë mikpritës dhe të gatshëm për të filluan menjëherë bisedën. Shumë prej tyre e kanë mësuar italishten nga televizori. Të rinjtë e mësojnë me dëshirë së bashku me anglishten. Një itinerar i mirë veror, që bashkon jetën e detit me eksplorimin, është përgjatë rrugës së Bregut, me nisjen nga Vlora (ish-porti i skafistëve famëkeqë) dhe mbërritja në Sarandë, Rimini i Shqipërisë, përballë Korfuzit. E gjithë kjo rrugë ka plazhe me rërë dhe me gurë, ndërkohë që deti përballë është blu dhe i kthjellët. Tragete për Vlorë dhe për në Durrës nisen nga Brindizi dhe Ankona. Alternativë është edhe udhëtimi me avion për në Tiranë dhe një makinë e marrë me qera. Është një ide e mirë ajo e kalimit të disa ditëve në kryeqytet, që në pak vite ka ndryshuar pamje. Për atë që zgjedh pushimet në varkë, qëndrimi i detyrueshëm në Shqipëri është në Orikum, i vetmi port turistik i vendit. Ndodhet në një gji të thellë, menjëherë pas Vlorës. Është ndërtuar nga një kompani toskane. Ndërtesa me tulla të kuqe (mund të marrësh me qera apartamente) duket e mbajtur mirë si vendpushim për anijet. Duke filluar nga ky vit, në Orikum është ankoruar edhe një anije luksoze që ofron udhëtime-kroçerë të shkurtra (www.Caiccoresort.com). I kthehemi udhëtimit buzë Bregut nga rruga (më në fund e zgjeruar dhe rregulluar) që ngjitet në Llogarà dhe që pastaj zbret gjarpërueshëm deri në nivelin e detit, ku ndeshemi me fshatrat e para. Ndalojmë në Dhërmi. Pesë kilometra më këmbë apo me fuoristradë, gjendet një manastir antik (i trasformuar në repart ushtarak gjatë komunizmit). Dhe prej këtu, përgjatë një rruge të ngushtë, mbërrin në plazhin e Gjipesë, me pamje spektakolare. Fshatra të tjerë (fatkeqësisht të sulmuar nga ndërtimet e reja) dhe plazhe të tjerë pasqyrohen në det. Dhe ja Himara, ku ndodhen plazhet më të bukur të Rivierës shqiptare. Kujtojmë Spilenë, një nga më të bukurat e Bregut. Porto Palermo, me kështjellën e Ali Pashait, është zonë ushtarake. Mbi shpinën e malit, vihet re një njollë e dendur me gjëmbaçë. Ishte Enver Hoxha që i mbolli si mbrojtje natyrore kundër uljes së desantëve armiq. Pjesën tjetër të vendit, i njëjti diktator e mbushi me bunkerë. Shumë prej tyre janë shkatërruar, të tjerë kanë mbetur. Saranda është qyteti më jugor. Fatkeqësisht një xhungël me çimento. Por, rreth 20 kilometra më tej, gjendet parku i mahnitshëm arkeologjik i Butrintit, zonë e mbrojtur nga UNESCO, që nuk mund të lihet pa u vizituar. Një detaj: gërmimet që nxorën në dritë mrekullitë e Antikitetit patën një hov të madh gjatë pushtimit italian të Shqipërisë. Në fund fare, ia vlen të vizitosh nga brenda (më pak se dy orë nga Saranda) Gjirokastrën, qytetin e gurtë. Është një nga shembujt më domethënës të arkitekturës shqiptare. Ju dominon kështjella-fortesë. Është vendlindja e diktatorit Hoxha./ a.jor.
KOMENTE