Vlore: Permiresohet Moti, Kushte Normale Lundrimi
VLORË, 26 qershor/ATSH-H.Koçi/.- Gjatë ditës së sotme në gjirin detar të Vlorës parashikohet mot i mirë, me vranësira të pakta e kthjellime. Ndryshimi i drejtimit të erës, në kuadratin Veri-Veriperëndim do të konsolidojë më tej situatën e përmirësuar meteorologjike, që nisi dy ditë më parë, duke u shoqëruar edhe me një rritje graduale, ndonëse të lehtë të vlerave të temperaturave.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Veri-Veriperëndim, me shpejtësi nga 4-6 m/sek, deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 25-27 gradë celsius dhe ato minimale në 15-17 gradë celsius.
Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 4-5 ballë në det të hapur. /a.ke/