Berisha: Respektimi Rigoroz I Kufijve, Bazë E Shkëlqyer Për Dialog Dhe Bashkëpunim Të Gjithanshëm
DURRËS, 27 Qershor/ATSH- G. Kabashi/. - Respektimi me rigorozitet i kufijve në Ballkan përbën bazën e shkëlqyer për dialog, bashkëpunim dhe kooperim të gjithanshëm, tha sot në Durrës Kryeministri Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të mediave në përfundim të takimit të tij me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Duke folur për vendimin e pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me statusin e Kosovës, Kryeministri Berisha tha se ky vendim do të jetë një kontribut i ri madhor për paqen në Ballkan.
"Nuk mund të kem asnjë lloj mëdyshjeje se ky vendim do të shkojë në kundër rrjedhë të të drejtës historike, juridike dhe ndërkombëtare të qytetarëve të Kosovës", tha Kryeministri Berisha.
Ai vuri në dukje se ky vendim do të sanksionojë më tej një proces të pakthyeshëm, një process që gadishulli e ka pritur prej një shekulli dhe pa të cilin nuk do të mund të kishte paqe dhe stabilitet.
Kryeministri Berisha tha se "ne do të bashkërendojmë përpjekjet tona që të zgjerojmë mirëkuptimin e partnerëve ndërkombëtarë për vendime më të drejta dhe të shpejta nga ana e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës", duke shtuar se "dua të theksoj se trendi është thellësisht pozitiv".
"Vullneti i vendeve sovrane dhe të lira është gjithnjë në rritje dhe numri i vendeve që do të njohin Kosovën gjatë muajve që vijnë do të njohë rritje të mëtejshme e të madhe", tha Kreu i Qeverisë shqiptare.
Duke folur për dialogun mes vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht atij me Serbinë, Kryeministri Berisha u shpreh se "ai është i dobishëm dhe i pashmangshëm", duke shtuar se "ajo që nuk do të jetë kurrë në axhendën e këtij dialogu është çeshtja e integritetit territorial të Kosovës".
"Këtu të dy qeveritë tona kanë bindjen më të thellë se kufijtë aktualë të Ballkanit në tërësi janë interesi jetik i të gjithë kombeve dhe shteteve të këtij rajoni dhe çdo synim për modifikim të tyre do të hapte një cikël të ri sherresh dhe konfliktesh, nga të cilat gadishulli do të donte dekada për të dalë", nënvizoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se "ne mendojmë se respektimi me rigorozitet i këtyre kufijve përbën bazën e shkëlqyer për dialog për bashkëpunim dhe kooperim të gjithanshëm".
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u shprehur për të njëjtën çështje tha se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë hap një fazë të re, që kërkon një relacion të ri edhe me shtetin e Serbisë. Thaçi shprehu bindjen se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa, por do të ketë njohje të reja për shtetin e Kosovës.
"Është në interesin e Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjet praktike, që janë edhe standarde për integrim në strukturat euroatlantike për të dy vendet", tha Kryeministri kosovar.
Thaçi tha se vendimi i GJND-së do të sjellë një qëndrim unik të vendeve të BE për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. /s.s./