Berisha: Takimi Me Thaçin Për Perspektivën Evropiane Të Vendeve Tona
DURRËS, 27 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - "Ishte një drekë pune në të cilën nga alfa te omega u diskutua vetëm perspektiva evropiane e të dy vendeve tona, proçeset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkëpunimi mes dy vendeve në proçesin e integrimit në BE", tha sot pasdite në Durrës Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në përfundim të takimit të zhvilluar me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe grupin e ministrave që i shoqëronin.
Kryeministri Berisha përshëndeti "progresin e madh që Kosova e pavarur ka bërë gjatë këtyre viteve dhe kontributin e saj madhor në paqen dhe stabilitetin në Ballkan". Ai vuri në dukje se "në tërë historinë e gadishullit marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë nuk kanë qenë kurrë të mira siç janë sot, marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë dhe me të gjitha vendet përreth, përveç fqinjit verior, do të thotha se janë shembull frymëzimi".
Berisha theksoi se aspiratat e qytetarëve të të dy vendeve janë promotor i fuqishëm dhe detyrim madhor i të dy qeverive tona. "Ne ramë dakord që do të shkëmbejmë çdo ligj, çdo projekt dhe çdo program në interesin më të mirë të këtij proçesi, që ai të jetë fund e krye në standardet më të mira", -theksoi z. Berisha, duke vlerësuar bisedën për proçeset që sipas tij janë të bazuara fund e krye në performacën, në meritën dhe në vendosjen e një standardi në Shqipëri dhe Kosovë si interesi jetik i qytetarëve të vendeve tona.
Duke vënë në dukje faktin se 69 vende kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës, si vullneti i tyre më i mirë për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin, Kreu i Qeverisë shqiptare vlerësoi e "pjesëmarrja e Kosovës në veprimtaritë rajonale dhe botërore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme", duke shtuar se gjatë drekës private me "axhendë të shkëlqyer zyrtare" u diskutua edhe mbi marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimin në infrastrukturë dhe në energji, etj.
Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi kontributin e z. Berisha në mbështetje të Kosovës dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes qeverive të të dy vendeve. "Unë e informova Kryeministrin Berisha për hapat e shtetit tonë për respektimin dhe zbatimin e kritereve demokratike si parakusht për t'u integruar në stukturat euroatlantike", tha Thaçi.
Ai bëri të ditur se Kosova është duke pritur me padurim opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës dhe më pas perspektivën e sigurtë për t'u anëtarësuar në NATO, në BE, e në të ardhmen edhe në familjen e Kombeve të Bashkuara.
Sipas z. Thaçi, "opinioni i GJND-së do të jetë në përputhje me vendimet e institucioneve të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran si dhe të qytetarëve të saj".
"Ne po punojmë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe veçanërisht me Kryeministrin Berisha, që opinioni i GJND-së të shënojë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ecjen përpara për njohje të reja për shtetin tonë", tha Thaçi, duke shtuar se "qeveria e kryesuar prej tij do të punojë për të ndryshuar pozitivisht gjendjen në veriun e Mitrovicës, "që atje të ketë ligjshmëri të plotë; angazhime demokratike dhe organizim të zgjedhjeve të lira në të tre komunat".
Ai bëri të ditur se statuti politik dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë çështje të përfunduara njëherë e përgjithmonë.
Kryeministri Thaçi vlerësoi se "përvoja e suksesit të Shqipërisë do të jetë si përvojë dhe ndihmesë e suksesit edhe për Kosovën në të gjitha aspektet, si për dialogun për liberalizimin e vizave; për marrëdhëniet tregtare dhe proçesin e Asocim Stabilizimit"./s.s./